Në një intervistë për TemA, historiania Nevila Nika ka ndarë një nga momentet prekëse të rinisë së saj, kur për herë të parë u përball me fotografinë e gjyshit të saj, Ismet Toto, para ekzekutimit të tij në korrik të vitit 1937.
Ajo kujton se ishte studente kur profesori Kristo Frashëri, ia ka treguar për herë të parë këtë fotografi, duke menduar se ajo e kishte parë. Në fakt, nuk e kishte parë kurrë.
“U ndjeva shumë keq edhe ai u ndje keq në fakt, kur ma tregoi fotografinë para ekzekutimit të Ismetit. Ky ka qenë kontakti i parë jashtëzakonisht i dhimbshëm, sepse është një foto, ku është Ismeti me duart e lidhura, i gjatë... Ka afër Xhelal Shtëpanin, dhe Ismail Gjylbegun. Ata ekzekutohen me pushkatim..."
Në atë fotografi shfaqej edhe Teki Koloneci, atëherë shumë i ri, të cilit iu fal jeta vetëm në momentin e fundit, si dhe të tjerë të dënuar, të rrethuar nga xhandarë. Pamja e saj e parë nuk ishte thjesht një dokument i historisë, por një përballje e drejtpërdrejtë me dramën e familjes, një çast ku dhimbja e së kaluarës u bë pjesë e jetës së saj.
Nika kujton se nuk pati forcë t’i kërkonte profesor Frashërit një kopje të fotos. Edhe kur u kthye në shtëpi, nuk dinte si t’ia tregonte nënës së saj, e cila gjithashtu nuk e kishte parë kurrë. Për të, ajo mbeti një kujtim i ngulitur në mendje, një imazh që mishëronte të gjithë tragjedinë e familjes Toto dhe sakrificën e burrave të saj.
Ndiq këtu intervistën e plotë me Nevila Nika: https://youtu.be/AxCAfhkqD3c