
Sekretet e magjisë së udhëtimit, ashtu si sekretet e magjisë së shkrimit dhe librit nuk janë të hapura për të gjithë.
“Mbretëria e fjalëve” e quan letërsinë Ismail Kadare. Atëherë udhëtimi është një magji e botëve, e botëve të mundshme dhe botëve reale.
Disa udhëtojnë që të arratisen, disa udhëtojnë për tu arratisur, që nuk është e njëjta gjë, disa udhëtojnë nga kurioziteti e disa udhëtojnë nga malli.
Disa udhëtojnë për biznes dhe disa udhëtojnë sepse e kanë profesion me të cilin fitojnë bukën e gojës.
Megjithatë të gjithë ëndërrojnë.
Për mua udhëtimi në Milano ishte një përzierje e të gjithë këtyre elementëve së bashku. Njëherësh doja të takoja anëtarë familjeje, të shkrydhja italishten time të shkërmoqur dhe të haja drekë me miq të vjetër me të cilët kisha vite që nuk isha puqur.
Milano, ashtu si Barcelona apo Parisi është një mrekulli arkitekturore, një ndërthurje perfekte mes gotizmit dhe racionalizmit. “Maria lindi” shkruhet në latinisht në ballë të kishës së famshme të Duomos.
Më e famshme është galeria, ku shërbehet një akullore mahnitëse dhe me çmim më të lirë sesa do të mendoni ju.
Galeria është e emërtuar sipas Viktor Emanuelit, mbretit të fundit të epokës para fashiste të Musolinit. E di që kjo nuk është një gjë e këndshme për tu kujtuar, por duhet, sepse edhe shqiptarët, ashtu si pjesa tjetër e botës e vuajtën fashizmin.
Në galerinë e Viktor Emanuelit që gëlonte nga dyqanet e modës, dyqanet e modës së shtrenjtë ku blejnë dhe bimba famoze të famshme për asgjë (çdo ngjasi me personazhe reale është e qëllimshme).
Por kishte dhe librari, Lombardo përshembull që ishte e pasur në tituj klasikë, ato të shtëpisë botuese “Adelphi” por ishte e varfër në tituj në anglisht.
Edhe italianët kanë defiçencat e tyre!
Italianët si zakonisht nuk e kanë harruar zakonin e tyre të të folurit me zë të lartë dhe çuditërisht autobusi që të çon nga avioni tek terminali në aeroportin e Bergamos është i njëjti model me ato të “Tiranës së Re” në Shqipëri.
Ja që jemi më europianë sesa mendojmë.
Edhe pllakat e stacionit të “Lambrade” janë të njëjta me pllakat e pedonaleve në shumë qytete të Shqipërisë si Shkodra apo Korça.
Sigurisht që çmimet nuk janë të njëjta. Por kjo nuk duhet tju pengojë të blini libra. Në “Chinatown” gjendet një librari simpatike me emrin “Furra e books” me pronar shqiptar, një poet dhe shkrimtar madje, me emër Astrit Cani. Libraria shet libra të përdorur në të gjitha gjuhët dhe aty mund të dëgjohet dhe muzikë e mirë.
Pugaçja afër Duomos nuk është e mirë. Porosit pica dhe të vjen një pugaçe e fryrë me proshutë krudo sipër sepse duan të të heqin qafe kur dëgjojnë tek flet shqip në telefon.
Për Italinë Shqipëria është një kauzë e humbur. Nëse do të këmbesh para në aeroport, paguan taksë shumë të lartë sepse është një monedhë e panjohur, rreth 40%.
Gjithsesi, le të flasim për gjëra pozitive. Në Milano mund të shohësh ndërtesa me kopshte të varura dhe dyqanet e luleve janë të jashtëzakonshme. Njerëzit e thjeshtë janë shumë mirëdashës megjithëse kanë dhe ato ankesat e tyre. Punëtorët e transportit publik po arratisen drejt Zvicrës dhe Gjermanisë, nga Italia ! Por edhe ato që kanë mbetur janë dashamirës si dhe ishte rasti me kontrollorët e biletave në Metro, që më falën për një biletë të blerë gabimisht megjithëse mund të më kishin sekuestruar pasaportën. Bileta tjetër e saktë kompensoi për shoqen e vet të pavlefshme, kjo dhe buzëqeshja mirëkuptuese e një kontrollori me ngjyrë kur i thashë se isha nga Shqipëria dhe atjekundi nuk kemi kshu gjërash luksoze si metroja.
Në Piazza « Duomo » gjendet dhe muzeu i “1900” ose “Noveçentos”. Një muze me piktura dhe vepra të tjera arti kontemporan (por jo vetëm) nga shumë artistë të famshëm të viteve 1900 si Pikaso apo Klee dhe Modigliani dhe Kandinski.
Për të gjithë dashamirësit e arteve figurative, seksioni i futurizmit është një perlë që nuk duhet humbur.
Fjetoret kanë kushte shumë të mira dhe punëtorët e turizmit aty nuk vuajnë aspak për dashamirësi.
Me teknologjinë e sotme mund të bësh gjithçka dhe shumë lehtë, nuk vuajmë për asgjë, veçse për kohë.
Milano ka ndoshta kafenë më të mirë në botë, qoftë Lavazza apo tjetër dhe ëmbëlsirat e verërat nuk i lënë gjë mangut Parisit.
Relievi nuk është malor si në Stamboll, kështu, po ishe në formë të mirë dhe jo si unë, mund ta marrësh më këmbë të gjithë qytetin dhe të shijosh arkitekturën e tij.
Unë e bëra, pavarëisht kileve të tepërta, dhe ishte një eksperiencë lodhëse po përmbushëse shpirtërisht.
All in all, ishte një voyage që ja vlejti.
Lini një Përgjigje