Grupi polifonik i fshatit Kotë të Vlorës u vlerësua me çmimin e parë të “Festivalit Folklorik” të Selenicës, i zhvilluar nga 1-3 gusht.
Ndërsa me çmim të dytë juria vlerësoi grupin e Vajzës dhe me çmimin e tretë grupin “Autokton” si dhe me çmim inkurajues grupin e vajzave të Gjormit.
Në edicionin e tretë të këtij festivali morën pjesë 20 grupe polifonike dhe instrumentistë popullorë nga të gjitha fshatrat e territorit të bashkisë së Selenicës si dhe grupe të zgjedhura të ftuara nga Vlora, Delvina, Memaliaj e Gjirokastra.
Festivalin e hapi kryetari i bashkisë Selenicë, Nertil Bellaj i cili theksoi se mbajtja e këtij festivali krahas gjallërimit të jetës social-kulturore të komunitetit është një kontribut i drejtpërdrejtë në ruajtjen dhe promovimin e këngës tradicionale të kësaj ane si një vlerë e çmuar e trashëgimisë kulturore shpirtërore të Lumit të Vlorës, Kudhës Gërhotit e zonave të tjera që lëvrojnë këtë dukuri kulturore shpirtërore.
Bellaj vlerësoi gjithashtu pjesëmarrjen në grupe të mjaft të rinjve të cilët krahasuar me edicionin e një viti më parë përbëjnë një vlerë të shtuar e të rëndësishme për festivalin.
Për tri mbrëmje me radhë qendra e njësisë administrative Kotë u kthye në një amfiteatër ku më shumë se 200 bartës e interpretues të këngës polifonike veshur me kostumet tradicionale interpretuan e këngë dhe valle popullore.
Festivalit i dhanë një vlerë të shtuar edhe grupet e Dukatit, Picarit, Kolonjës, “Djemtë e Delvinës”, Grupi i bashkisë Memaliaj si dhe Ansambli “Lunxhëria” të cilat përshëndetën festivalin.
Sejmen Gjokoli, “Mjeshtër i Madh”, njëkohësisht drejtuesi artistik i festivalit tha për ATSH-në se “ky aktivitet kulturor është tepër unik jo vetëm se për të parën herë “instalohet” një festival i drejtpërdrejtë folklorik në zemër të Labërisë, aty ku kënga labërishte ka rrënjët, por edhe se është një festival që “bukën” e bën me “brumin” e vet mbasi në të marrin pjesë dhe konkurrojnë vetëm grupet që bëjnë jetë aktive në territorin në juridiksion të bashkisë”.
Gjokoli e konsideron me shumë vlerë investimin e pushtetit vendor për të mbajtur gjallë dhe promovuar kulturën tradicionale të komunitetit, e cila krahas ruajtjes dhe përcjelljes së kësaj pasurie shpirtërore në breza shërben edhe si një aset i rëndësishëm në fushën e turizmit kulturor.
Festivali u ndoq edhe nga deputetët Vullnet Sinaj e Erjona Ismaili, të cilët përshëndetën festivalin.
Gjithashtu në natën e fundit të festivalit u zhvillua edhe ceremonia e dorëzimit të titullit “Qytetar Nderi” të bashkisë Selenicë për rapsodin e shquar të Lapardhasë dhe Labërisë, Feti Brahimaj ( pas vdekjes).
Vlerësimin në emër të Këshillit bashkiak ia dorëzoi familjarëve kryetari i bashkisë, Nertil Bellaj.
Ky festival duhet bere ne Vlore! Pse me Selenice?