Xhixha dhe Milor, dy shqiptarë në “Artis Suavitas 2025”

15 Korrik 2025, 21:52Kulturë TEMA
Xhixha dhe Milor, dy shqiptarë në “Artis Suavitas 2025”

Nën hijen madhështore të Tempullit të Neptunit në Paestum, u mbajt ceremonia përmbyllëse e edicionit të gjashtë të çmimit prestigjioz Artis Suavitas 2025. Një mbrëmje e mbushur me emocion, art dhe përkushtim qytetar.

Ceremonia zyrtare, e moderuar nga Giusy Meloni dhe Bruno Gaipa, mblodhi figura të shquara nga kultura, shkenca, arti, gastronomia dhe shoqëria civile.

Mes fituesve të çmimit “Pema e Kulturës”, një vepër që simbolizon rrënjët dhe zhvillimin kulturor, u veçuan dy emra që nderojnë kulturën shqiptare në skenën ndërkombëtare.

Skulptori Helidon Xhixha, një nga artistët bashkëkohorë më të njohur të Evropës, u vlerësua për kontributin e tij në artin publik dhe ndërkombëtarizimin e skulpturës moderne. Puna e tij, që ndërthur metalin me dritën dhe reflektimin, ka lënë gjurmë në hapësira publike anembanë botës.

Po ashtu, artisti Alfred Mirashi ose Milot, i njohur për stilin e tij konceptual dhe për simbolet e lirisë, mori pjesë si këshilltar artistik i Artis Suavitas për artin bashkëkohor. Milot, me veprën e tij, është prej vitesh ambasador i vlerave njerëzore nëpërmjet artit.

Prania e tyre në këtë skenë italiane përfaqëson një moment krenarie për kulturën shqiptare, duke treguar se arti ynë po rezonon me forcë edhe në qendrat më prestigjioze të Evropës.

Ceremonia u mbush me emocione të thella, veçanërisht gjatë nderimit për familjet e Giulias Cecchettin dhe Giulias Tramontano, viktima të femicidit, që u nderuan për guximin dhe përkushtimin e tyre qytetar.

Në skenë u ngjitën një pas një emra që mishërojnë përmasat e kulturës, artit, drejtësisë dhe shkencës. Ndër ta, prokurori i njohur Nicola Gratteri, i dekoruar për luftën e tij të pandërprerë kundër mafias.
U vlerësuan gjithashtu figura të spikatura si astronauti Paolo Nespoli, chef Gennaro Esposito, aktorët Marco D’Amore dhe Alessio Boni, dhe krijuesja digjitale Valeria Angione, shumë e ndjekur nga brezi i ri, transmeton klan.
Mbrëmja u përmbyll me një pritje festive në Villa Salati, ku të ftuarit festuan nën frymën e bashkimit përmes artit dhe vlerave njerëzore.

Lini një Përgjigje