nga Kastriot Kotoni
Historia, para së gjithash merret me ngjarje të veçanta. Ky ka qenë dhe fuksioni që i është ngarkuar historianit qysh në kohën e Aristotelit. Në sistemet e diktatoriale apo autokrate historia i thur lavde pushtetit dhe mbajtjes së tij. Ndaj edhe figura e Zef Malaj një komunisti të formuar në Vjenë për filozofi, pas mbarimit të gjimnazit “Kolegjit Saverian të Urdhi Jezuit në Shkodër me nota të shkëlqyera duhet ndriçuar.
I frymëzuar, pas parimeve humanitare të vllazërimit të popujve dhe ideve të së majtës evropiane, u aktivizua në tubimet antiqeveritare të popullit austriak dhe për pasoj u arrestua nga policia. Nga kjo pjesmarrje iu pre bursa e studimit, nga raportet që bënte konsullata shqiptare në instancat përkatëse.
I mirëformuar me kulturë të gjerë dhe bindje të thella filozofike gëzonte respekt dhe influencë në njerëz të shtresave të ndryshme përparimtare të shoqërisë dhe u bë udhëheqës i “Grupit Komunist të Shkodrës” në vitin 1937 me të cilin boton një vit më vonë “Buletini Jeshil. Aktiviteti i dendur i këtij grupi i cili po shtrihej në të gjithë trevat shqiptare ra në sy të afijeve të regjimit të “Zogut” dhe në vitin 1938 u arrestua mes dhjetra të tjerëve. Zefit iu dha dënimi me gjashtë vjet burg në Breshtan (Berat).
Nga burgu u arratis së bashku me shokë të tjerë, për t’u bashkuar me grupet e rezistencës kundër pushtimit fashist. Në dosjet e pushtuesve italianë ai shfaqej si komunist i rrezikshëm dhe e internuan në Ventotene (Itali), ku ishin internuar krerët kryesorë të partive komuniste e socialiste italiane.
Vlerësimi i tyre për Zefin ishte tejet i lartë dhe kjo klimë ndikoi në emancipimin e përgjithshëm të tij. Ndëkohë, Enver Hoxha kishte mbjellur trillin, sikur Zefi kishte tradhëtuar shokët. Por komunistët e “Grupit të Shkodrës”, nuk ranë pre e këtij trillimi.
Vasil Shanto, Tuk Jakova dhe Qemal Stafa kishin besim të plotë tek Zefi dhe i përgenjështronin shpifjet e ulta të Hoxhës dhe i kërkonin mendime të ndryshme për problemet të grupit edhe në internim. Pikpamja e Zef Malaës për lidhje me parti homologe ishte se duhej të lidheshin me Partinë Komuniste italiane, si më e avancuar dhe larg shovinizmit sllav. Mungesa e tij në tentativën e shkrirjes së grupeve komuniste në themelimin e Partisë, ishte një minus i madh dhe përfituan të dërguarit e Titos.
Kur armata III aleate zbarkoi në Itali, liroi të burgosurit politikë italianë dhe me kombësi të ndryshme, midis tyre edhe shqiptarët, të cilët i mblodhën në qytetin e Barit. Zef Malën e sollën me pranga për ta gjykuar sërish në Shqipëri.
Me ndihmën e “Njësitit gueril të Tiranës” mundi të arratisej dhe u inkuadrua në grupin e Pezës. Enver Hoxha dhe Miladin Popoviçi ndodheshin në Pezë dhe patën diskutim me Zefin për rezolucionin e Partisë. Zefi, jo vetëm iu kundërvu ndaj gabimeve që i atriboheshin “Grupit Komunist të Shkodrës” dhe atij personalisht (duke përfituar nga mungesa e tij dhe qëndrimi të ulët të (Kristo Themelkos), por shtroi dhe vërejtje të tjera ndaj vijës së Partisë në përgjithësi.
Pyetjes së Miladinit se ç’mendonte për çështjen e Kosovës, ai iu përgjigj: “Çështja e Kosovës pa diskutim duhet të zgjidhet me anë të plebishitit”. Nga ky qëndrim kundërshtues i Zefit u vendos përfundimisht likuidimi në prapaskenë i tij. Por falë nuhatjes së Zefit dhe njoftimit të Myslym Pezës, ky plan ogurzi dështoi.
Pas kësaj orvajtjeje iu propozua nga Enver Hoxha që Zefi të trajtohej si të gjithë anëtarët e “Shtabit të përgjithshëm”, por ai pranoi të trajtohej si gjithë partizanët e thjeshtë dhe në besën Myslym Pezës. I sëmurë nga sytë, dhe meqë i duhej një kurim sa më i shpejtë, e sollën illegal në Tiranë. Në fillim të vitit 1945 iu desh të kryente një ndëhyrje kirurgjikale në sy, sepse gjendja ishte shumë e rëndë dhe e dërgojnë në Itali, ku u mbajt i shtruar për gjashtë muaj.
Miq të shumtë antifashistë të Ventotenës e vizitonin shpesh në spital, si Luigi Longo, Pietro Neni dhe Sandro Pertini Presidenti i Italisë në vitet 80-të e shumë të tjerë, të cilët i propozuan të aderonte në ndonjërën parti në Itali ku do t’i hapej perspektivë e madhe dhe me problemin e syve do të ishte më mirë. Zef Mala kthehet në atdhe dhe emërohet drejtor i Biblotekave.
Por ashpërsimi luftës së klasave dhe veçnërisht lufta kundër elitës intelektuale e gjen në burgun e Tiranës në vitin 1947-1949. Klika prosllave e Koçi Xoxes i mori të gjitha gjynahet e mëkatet dhe Zef Malaj doli nga burgu si i persekutuar nga kjo klikë dhe u “reablitua”. Me ndjenjën e thellë për t’i shërbyer atdheut e popullit iu përkushtua punës si drejtor i Arkivit të Shtetit. Ai u ngarkua për të mbledhur material historike të periudhës 1912-1924, por ai sërish burgoset në vitin 1956 dhe nuk arriti ta përfundonte këtë punim.
U dënua 5 vjet në Zvërnec të Vlorës ku klima ishte tejet e keqe për shëndetin dhe ia përkeqësuan shikimin deri në humbjen e 80% të dritës së syrit. Nuk i njohën të drejtën e kthimit, as në qytetin e Shkodrës dhe as në rrethin e Tiranës pas mbarimit të afatit të burgosjes. Dhe Zefi plot humor shpotitës thoshte: “S’më mbetet veçse të ngreh një kasolle në pyll, ku ndofta do të kuptohem më mirë me egërsirat”.
I ndodhur pa familje, pa strehë, pa pension invaliditeti, iu njoh e drejta e banimit në Tiranë, një “Qarkullimi brenda kufijve periferikë”, më troç një internim në Tiranë. Pas një viti u thirr nga kryeministri Mehmet Shehu i cili iu drejtua: “Mbase jeta jote është zhvilluar në kushte anormale, hyr e dil në burgje e në intrenime…, kam këtë propozim: 1) Po të mos na ngacmosh, nuk do të të ngacmojmë. 2) Jam i disponuar të të plotësohen kërkesat e tua të mundshme. Zefi i thotë: “Vetëm pikën e dytë do ta zbatojë. Konformë ligjit kërkoj të më njihet e drejta e invaliditetit të plotë. Të më sigurohet banesë”.
Këto kërkesa me urdhër të Mehmet Shehut iu plotësuan. Po kalvari i vuajtjeve të Zef Malajt nuk ka të sosur dhe një ditë diktatori e kish parë në rrugë të shoqëruar nga Lec Mala dhe pas tre ditësh i komunikojnë internimin në Labovë për pesë vjet. I shkruan një promemorje kryeministrit Mehmet Shehu në vitin 1978. Në zgjedhjet për deputet të “Kuvendit Popullor”, Zef Mala nuk pranon të votojë… I bëjnë gjyqin në Tiranë dhe i shtojnë vitet e internimit, ku edhe mbylli sytë në ditën e ndërimit të viteve (dhjetor-janar i vitit 1979), në spitalin e burgut të Tiranës
Zefi, sipas miqve të tij Henrik Gjoka dhe Skënder Haxhihasani, ka lënë shumë kujtime dhe ese filozofike, mbi 8 vëllime të cilat nuk dihet ku kanë përfunduar. Zef Mala ishte ndër përkrahësit e parë të ideve komuniste, por ai arriti në konkluzionin se “komunizmi si ideologji ishte një utopi, kurse si sistem politik, ishte një regres për njerëzimin…”
I vendosur në krahun e së drejtës dhe humanizmit, ai do të deklaronte: “Ne që kontribuam për ardhjen e kësaj kolere, që mbolli lot, gjak e helm në zemrën e popullit e që shfrytëzoi imazhin solemn të atdheut, na përket të kërkojmë të falur në gjunjë e me dorë në zemër”…
_____
Zef Mala ka bere vetem nje vit shkolle per filozofi ne Vjene. Ka qene nje njeri me karkater te paepur e shume inteligjent. Zefi ka dhene nje kontribut shume te madh per perhapjen e komunizmit ne Shkoder e Tirane. Mbas kalvarit te pafund te vujtjeve te tij nga shoket e tij komunist ai distancohet prerasi nga komunizmi, si nje levizje utopike qe u kthye ne diktature. Ai ka thene: Revolucionet behen qe njerzimi te jetoje ma mire e jo te jetoje ma keq. Shkrimet e kujtimet tija jane djegur nga frika e sigurimit.