Mbrëmjen e sotme, Shqipëria ngjitet në skenën e madhe të Eurovision 2025 në Bazel të Zvicrës me këngën “Zjerm” nga Shkodra Elektronike, duke mbyllur natën finale si kënga e 26-të në renditje.
Kompozitori Sokol Marsi, në një intervistë për RTSH 24, tha se kjo është një ndër përfaqësimet më autentike që Shqipëria ka sjellë ndonjëherë në Eurovision. Duke komentuar këngën “Zjerm”, kompozitori Sokol Marsi tha se ndërthurja e ritmeve elektro-pop dhe motiveve shqiptare janë ndër arsyet që kanë rrëmbyer vëmendjen e publikut dhe mediave ndërkombëtare.
“Shqipëria gjithmonë është përfaqësuar me artistin në Eurovision dhe jo me performancën. Shqipëria ka shumë pjesëmarrje në finale dhe ka pasur një prezencë të mirë në Eurovision. Rasti i këtij viti është se që kur e kam dëgjuar këtë këngë thashë se kjo duhet të ishte kënga që duhet të na përfaqësonte pasi është një këngë ku identiteti shqiptar ishte brenda këngës, i fshehur bukur në orkestrim, në tekst dhe erdhi në një simbiozë sëbashku me pjesën moderne dhe ritmike të zhanrit elektro-pop. Ishte një rast shumë i mirë ku tregon se folklori ynë, muzika jonë ka tendenca për t’u parë në dimensione të tjera”, tha kompozitori.
Edhe zv.drejtoresha e RTSH-së, Aurora Polo, vlerësoi se ndërthurja e tabanit shqiptar me pjesën moderne e ka bërë një sukses të vërtetë këtë këngë.
““Zjerm” është një këngë dinjitoze me taban shqiptar e ndërthurur me pjesën moderne, kishte një tekst shumë goditëse dhe kjo ishte suksesi i kësaj këngë në Festivalin e Këngës. Kjo këngë u mirëprit si nga publiku dhe juria dhe kjo këngë do na nderojë edhe në Bazel të Zvicrës. Është teksti, muzika, vetë këngëtarët që janë të veçantë në llojin e tyre dhe them me bindje që kjo është kënga më e mirë që ne kemi dërguar deri tani në Eurovision. Ne kemi artistë që vjen dhe shpalosim vlerat tona në një festival si Eurovisioni”, u shpreh ajo.
Lidhur me pritshmëritë e renditjes së Shqipërisë, për kompozitorin Sokol Marsi dhe zv.drejtoreshën e RTSH-së, Aurora Polo shpresojnë që Shkodra Elektronikë ta sjellë Eurovision 2026 në Shqipëri.
“Në mendimin tim personal do kemi një renditje të mirë, por pritshmëritë janë për më të mirën, por në këtë festival kaq të madh hynë në lojë e fuqia e një shteti dhe ne jemi një vend i vogël. Fakti që këngës tonë i kanë kushtuar vëmendje edhe mediat e rëndësishme botërore kjo është një arritje”, tha Marsi.
“Shpresoj shumë që ta sjellim Eurovision 2026 në Shqipëri, kjo është ajo që unë uroj”, tha Polo.
/RTSH/
p..robsh