Adidas humb ‘gjyqin e vijave’ ndaj Thom Browne

15 Janar 2023, 22:10Lifestyle TEMA

 

Adidas humb ‘gjyqin e vijave’ ndaj Thom Browne

Marka e njohur gjermane e veshjeve sportive, Adidas, e ka humbur gjyqin përballë një tjetër marke, por këtë herë të veshjeve të luksit, Thom Browne, lidhur me përdorimin e vijave të famshme në dizajnin e mirënjohur botërisht.

Sipas Adidas, Thom Browne kishte përdorur një dizajn të ngjashëm me katër vija, për të tërhequr klientelën me dizajnin e thjeshtë, por të dallueshëm, mbi të gjitha te çorapet.

Për gjermanët, ishte e dukshme se Browne, me katër vijat e vendosur në çorape, ka kopjuar Adidasin dhe stilin e veshjeve sportive.

Në të njëjtën mënyrë gjithsesi nuk e mendoi një gjykatë në New York, e cila vendosi pro markës së luksit.

Pavarësisht faktit se Adidas kishte kërkuar një dëmshpërblim prej 7.8 milionë dollarësh, asnjë cent nuk i detyrohet Browne atyre.

Ky i fundit i ka përdorur katër vijat edhe në disa bluza, në mëngët e tyre, duke tërhequr vëmendjen e jo pak njerëzve.

Fakti gjithsesi është se ato janë katër vija horizontale, përkundër tre të tillave, të cilat Adidas i përdor në shumicën e veshjeve të tyre.

Ndaj, jo vetëm gjyqin nuk e fitoi pala gjermane, por rrezikon kështu t’i japë edhe emër të shtuar Thom Browne-it.

Nuk rrezikohet megjithatë tregu i veshjeve sportive, nëse dihet çmimi i kripur, që marka luksoze kërkon për veshjet e veta, kur Adidas, është ndër më të përballueshme për cilësinë që ofron në treg.

Lini një Përgjigje