Barazia gjinore në Gjermani, merret vendimi: Gratë lejohen topless në pishina

2 Maj 2022, 16:54Lifestyle TEMA

Barazia gjinore në Gjermani, merret vendimi: Gratë lejohen topless

Qyteti i Göttingen në Gjermaninë qendrore, do të jetë i pari në vend që do të lejojë femrat topless në pishinat e tij të brendshme dhe të jashtme. Kjo, falë një mase që synon rritjen e barazisë gjinore.

Nisma që lejon notarët të lahen ‘oben-ohne’ (topless) hyri në fuqi më 1 maj si një test i kufizuar vetëm fundjavave dhe skadon në fund të gushtit.

Një “përplasje e identitetit gjinor” vitin e kaluar duket se është bërë shkaku i krijimit të rregullores së përkohshme nga komiteti sportiv i qytetit që rekomandon që “të gjithë notarët në pishinat e brendshme dhe të jashtme duhet të lejohen të notojnë topless gjatë fundjavave”.

“Përplasja gjinore” ndodhi kur, në një pishinë lokale, një notari transgjinor (lindur femër) iu kërkua të mbulonte pjesën e sipërme të trupit. “Notari protestoi, duke thënë se ai identifikohej si mashkull. Pavarësisht kësaj, autoriteti i pishinës dëboi individin”, raporton media gjermane, DW.

Me këtë masë, qyteti synon të avancojë debatin për trajtimin e barabartë të grave dhe burrave në hapësirat e kohës së lirë.

Në Göttingen kanë nisur debate të tjera që kanë të bëjnë me “barazinë e kufizuar” të akorduar nga rregullorja e re. E drejta e grave për të notuar topless është e kufizuar në kohë; vetëm gjatë fundjavave dhe vetëm për disa muaj, gjë që nuk krahasohet me burrat që notojnë, shkojnë në parqe dhe bëjnë banjo dielli topless në çdo kohë.

Disa banorë i shohin të mjerueshme kufizime të tilla. Zyrtarët kanë shpjeguar se praktika e re nuk duhet të komprometojë mësimet e notit në shkollë, të cilat zhvillohen gjatë javës.

Shumë nga artikujt e botuar në lidhje me këtë çështje tregojnë faktin se Gjermania ka “një tolerancë dhe, në disa raste, një dashuri për të qenë ‘pa tekstile’”, shkruan DW.

Meqenëse nudizmi dhe praktika e Freikörperkultur – “kultura e trupit të lirë” – është e pranuar dhe e gjerë në Gjermani, ajo që ka habitur shtypin lokal në Göttingen është vëmendja globale e shkaktuar nga një zhvillim kaq i vogël.

Göttingen Tagerblad e sheh “të mahnitshme” që “ky qytet i vogël në mes të Gjermanisë është befas jo vetëm në titujt kryesor në mbarë vendin, por edhe ndërkombëtarisht. Dhe e gjithë kjo sepse këtu njerëzit do të ekspozonin pjesën e sipërme të trupit të tyre”.

Lini një Përgjigje