Disa biblioteka nuk janë vetëm vende ku huazohen libra, ato janë destinacione me histori të pasur dhe arkitekturë që dëshmojnë historinë përtej faqeve.
Çmimet 1000 Libraries Awards 2025, të bazuara në votat e 200,000 përdoruesve online, kanë përzgjedhur disa nga bibliotekat dhe libraritë më të bukura në botë. Sipas themeluesit Vincent Phan, që e nisi “1000 Libraries” si blog dhe e ktheu në një komunitet global lexuesish, qëllimi është të promovohen bibliotekat dhe libraritë në epokën e internetit dhe teknologjisë dixhitale.
Në vazhdim do të lexoni për bibliotekat më të bukura në Europë të përfshira në renditjen globale:
Dublin, Irlandë – Library of Trinity College Dublin

Biblioteka më e madhe në Irlandë, ruan dorëshkrime të rralla, përfshirë “Book of Kells” të shek. IX. Është famshme për Long Room, një sallë 65 metra e gjatë me 200,000 libra. Hyrja nis nga 19 euro.
St. Gallen, Zvicër – St. Gallen Abbey Library

Një nga bibliotekat më të vjetra në botë, me koleksion të pasur dorëshkrimesh mesjetare. Ka qenë një qendër e rëndësishme kulturore që nga shek. VIII dhe është pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.
Oxford, Mbretëria e Bashkuar – Duke Humfrey’s Library

Dhoma më e vjetër e leximit në Bodleian Library. Librat dikur ishin të lidhur me zinxhir dhe sot mund të lexohen vetëm në sallat e Bodleian. Shumë nga dorëshkrimet e dhuruara nga Duka Humfrey u shkatërruan gjatë Reformës Protestante.
Admont, Austri – Biblioteka e Manastirit Admont

Biblioteka më e madhe në botë që i përket një manastiri, 70 metra e gjatë me mbi 60,000 libra. Arkitekturë baroke me shtatë afreske nga piktori Bartolomeo Altomonte. Manastiri Benediktin është ende i hapur dhe murgjit jetojnë brenda tij.
Amsterdam, Holandë – Cuypers Library

Ndodhet brenda Rijksmuseum, ku ruhen vepra të Rembrandt, Vermeer dhe mjeshtrave të tjerë holandezë. Është biblioteka më e madhe dhe më e vjetër e historisë së artit në Holandë, me arkitekturë neo-gotike.
Ulm, Gjermani – Biblioteka e Manastirit Wiblingen

E njohur për stilin rokoko dhe galerinë me statuja e piktura mitologjike e biblike. Një perlë e fshehur për shkak të mungesës së turmave.
Paris, Francë – Bibliothèque Sainte-Geneviève
E projektuar me çati të dyfishtë të mbështetur nga kolona të holla hekuri dhe harqe madhështore. Përshkruhet si një nga bibliotekat që duhet vizituar patjetër në Paris. / CNBC, Shqip.al
Lini një Përgjigje