Binjaket e bashkuara Abby dhe Brittany Hensel janë rikthyer në qendër të vëmendjes, pasi së fundmi janë fotografuar duke mbajtur në krahë një foshnjë, duke nxitur një valë spekulimesh në rrjet lidhur me jetën e tyre private.
Sipas mediave amerikane, binjaket 35-vjeçare, të njohura për paraqitjet e tyre në reality show-n e TLC, janë parë rreth tre javë më parë në një parking në Arden Hills, në Minnesota, duke mbajtur një foshnjë.
Fotot, të publikuara nga TMZ, i tregojnë Abby dhe Brittany teksa vendosin foshnjën në një ndenjëse makine për fëmijë, më 14 gusht. Megjithatë, në raportim theksohet se nuk është e qartë se kujt i përket foshnja.
Pamjet mjaftuan për të ndezur diskutime të shumta në rrjetet sociale, pasi motrat njihen për faktin se e mbajnë larg publikut jetën e tyre personale.
Abby Hensel është e martuar me Joshua Bowling, një veteran i Ushtrisë Amerikane, i cili ka edhe një vajzë nga një lidhje e mëparshme. Martesa e tyre është lidhur në vitin 2021, por u bë publike vetëm tre vite më vonë, çka ka forcuar më tej bindjen se binjaket preferojnë ta ruajnë privatësinë e ngjarjeve të rëndësishme në jetën e tyre.
Në të kaluarën, Abby dhe Brittany kanë folur hapur për zgjedhjen e tyre për të mos e ekspozuar jetën personale. Në vitin 2012, gjatë kulmit të famës televizive, Brittany deklaronte se “e gjithë bota nuk ka nevojë të dijë me kë po takohemi, çfarë po bëjmë dhe kur”, duke theksuar se, pavarësisht faktit se ndajnë të njëjtin trup, ato janë dy persona të ndryshëm.
Nga ana e saj, Abby shtonte në atë kohë se “një ditë do të bëhemi nëna, por nuk duam ende të flasim se si do të ndodhë kjo”.
Pas reagimeve të shumta që shkaktuan fotot e fundit, Abby dhe Brittany kanë zgjedhur të reagojnë në një mënyrë të pazakontë. Ato publikuan një video me slajde në TikTok, ku përfshihen edhe pamjet paparaci me foshnjën.
Videoja shoqërohet me një përzierje këngësh të Dr. Dre dhe Eminem, ndërsa në mbishkrim shkruhet vetëm fjala “Blessed”, e shoqëruar me hashtagët përkatës me emrat e tyre.
Postimi, megjithatë, nuk i ka dhënë fund spekulimeve. Përkundrazi, ai ka ngritur edhe më shumë pikëpyetje, pasi mbetet e paqartë nëse foshnja është fëmija i tyre apo nëse binjaket po kujdeseshin për fëmijën e dikujt tjetër.
Në komente, shumë ndjekës kanë shprehur mbështetje për to, duke theksuar se, pavarësisht nëse bëhet fjalë për një fëmijë biologjik, të adoptuar apo përmes një nëne zëvendësuese, më e rëndësishmja është që foshnja të rritet me dashuri dhe kujdes.
Burimi: TMZ
Lini një Përgjigje