Ish-avioni privat i baronit të drogës Pablo Escobar është transformuar në një akomodim unik luksoz që sot jepet me qira në platformën Airbnb, me një çmim që arrin rreth 500 euro për person për një natë qëndrimi.
Bëhet fjalë për një Boeing 727 të ndërtuar në vitin 1968, i cili u kthye në avion privat në fillim të viteve ’80, periudhë kur ishte në pronësi të Escobarit, një prej figurave më të njohura të botës së krimit të organizuar dhe trafikut të drogës.
Sipërmarrësi Johnny Palmer e ka shndërruar avionin në një hapësirë turistike të restauruar, duke ruajtur elemente të stilit retro që karakterizonte dekadën e viteve ’80. Sipas përshkrimeve, dikur avioni ishte i pajisur me detaje luksoze prej ari dhe kristali, në përputhje me stilin e jetës së Escobarit, i cili kishte ndërtuar një perandori të vlerësuar në miliarda dollarë.
Sot, hapësira është përshtatur për qëndrime turistike dhe përfshin dy ambiente ndenjeje, një dhomë gjumi me krevat dopio, tre tualete, një kabinë dushi dhe një kuzhinë të kompletuar, duke akomoduar deri në katër persona.
Në pjesën e jashtme, vizitorët mund të shijojnë një kuvertë me vaskë të nxehtë, sauna dhe dush të hapur. Objekti funksionon me energji të rinovueshme përmes paneleve diellore.
Avioni është vendosur në zonën industriale Skyline Park në Bristol, Mbretëri e Bashkuar, mbi disa kontejnerë transporti.
Megjithatë, vizitorëve u bëhet e ditur se përvojë më e qetë garantohet kryesisht gjatë fundjavave, ndërsa gjatë ditëve të javës mund të ketë zhurma për shkak të aktivitetit industrial në zonë.
Lini një Përgjigje