Trupi i Oliver Tree kthehet në SHBA, familja nderon dëshirën e tij të fundit

23 Qershor 2026, 14:02Lifestyle TEMA
Trupi i Oliver Tree kthehet në SHBA, familja nderon dëshirën e

Trupi i këngëtarit dhe kantautorit amerikan Oliver Tree është kthyer në Kaliforni, pasi ai humbi jetën në një aksident me helikopter në Rio de Janeiro, ku u përfshinë edhe pesë persona të tjerë.

Në një postim në llogarinë e tij në Instagram, familja konfirmoi se “ai më në fund mund të pushojë në paqe”, duke falënderuar fansat për mbështetjen e vazhdueshme gjatë kësaj periudhe të vështirë.

Në deklaratë thuhej gjithashtu se familja do të respektojë dëshirën e tij të fundit duke krijuar një fondacion bamirësie në emër të tij. Sipas tyre, kjo ishte një iniciativë që artisti e kishte planifikuar vetë para vdekjes dhe e kishte përfshirë në testament.

“Do të sigurohemi që dëshira e tij të realizohet, në mënyrë që më shumë gëzim, dashuri dhe art të përhapen në botë. Kjo ishte dëshira e tij e fundit”, shkruhej në postim.

Fondacioni do të mbajë emrin “Dr. Oliver Tree’s Extremely Epic Grant For Baby Geniuses” (“Granti Jashtëzakonisht Epik i Dr. Oliver Tree për Gjenitë e Vegjël”), ndërsa familja shprehu mirënjohje për dashurinë dhe mbështetjen e fansave në këto kohë jashtëzakonisht të vështira.

Oliver Tree, i lindur në vitin 1993 në Santa Cruz, Kaliforni, u bë i njohur në vitin 2016 pasi u bë viral në rrjetet sociale. Ai njihej për stilin e tij të veçantë dhe këngë si “Life Goes On“, “Miss You” dhe “Alien Boy“.

32-vjeçari kishte nisur një turne botëror, me koncertin e fundit në São Paulo më 6 qershor, ndërsa kishte planifikuar shfaqje në Lisbonë dhe disa qytete të tjera evropiane në muajt në vijim. Tree humbi jetën në një aksident tragjik me helikopter në Rio de Janeiro, pasi mjeti ajror me të cilin po udhëtonte u përplas me një helikopter tjetër.

Lini një Përgjigje