VIDEO/ Shpërthen papritur vullkani në Guatemalë, turistët përjetojnë momente tmerri

23 Qershor 2026, 11:27Lifestyle TEMA
VIDEO/ Shpërthen papritur vullkani në Guatemalë, turistët

Një grup turistësh përjetuan momente frike pranë vullkanit më aktiv të Guatemalës, pasi ai shpërtheu papritur duke hedhur në ajër hi, lavë dhe gurë të zjarrtë.

Pamjet e filmuara nga vetë pjesëtarët e grupit tregojnë momentin kur vullkani Volcán de Fuego aktivizohet teksa turistët po i afroheshin zonës së tij. Në video dëgjohen britmat dhe përpjekjet e vizitorëve për t’u larguar me shpejtësi, ndërsa materialet vullkanike bien përreth tyre.

Një nga turistet, Anna Garcia, tregoi se disa prej gurëve të nxehtë i dogjën xhaketën, ndërsa një copë shkëmbi kaloi shumë pranë kokës së saj.

“Vullkani shpërtheu dhe arrita të filmoja vetëm një pjesë të vogël të asaj që ndodhi. Teksa po filmoja, ngrita kokën dhe pashë gurë që po binin nga qielli. U trondita dhe më pas nisa të vrapoja”, tha ajo.

Garcia e cilësoi ngjarjen si një përvojë të paharrueshme, duke pranuar se gjatë gjithë kohës kishte qenë “plotësisht e tmerruar”.

Sipas studiuesve, Volcán de Fuego është pothuajse vazhdimisht aktiv në nivel të ulët, duke prodhuar shpërthime të vogla gazi dhe hiri çdo 15 deri në 20 minuta.

Historikisht, vullkani ka shpërthyer më shumë se 60 herë që nga viti 1524. Megjithatë, vetëm tre prej këtyre shpërthimeve kanë shkaktuar viktima. Shpërthimi më i fuqishëm i viteve të fundit ndodhi më 3 qershor 2018, kur rrjedhat e lavës varrosën disa vendbanime të vogla dhe shkaktuan mbi 100 viktima, ndërsa reja e hirit u ngrit deri në 33 mijë këmbë lartësi dhe ishte e dukshme edhe nga hapësira.

Lini një Përgjigje