Është ndarë nga jeta në moshën 94-vjeçare producenti dhe drejtuesi legjendar i industrisë muzikore, Clive Davis, njeriu që zbuloi dhe ndihmoi në ngritjen e karrierës së disa prej emrave më të mëdhenj të muzikës botërore, si Janis Joplin, Whitney Houston, Billy Joel, Santana, Bruce Springsteen dhe Alicia Keys.
Lajmi u konfirmua nga familja e tij përmes një postimi në rrjetet sociale, ndërsa edhe publicisti i tij e konfirmoi vdekjen për CNN. Në mesazhin e familjes, Davis u përshkrua si "një figurë madhështore që ndryshoi përgjithmonë muzikën", por edhe si "një njeri që udhëhoqi familjen me mirësi, bujari dhe dinjitet".
Davis ishte shtruar në spital në fund të muajit maj për shkak të një problemi në rrugët e sipërme të frymëmarrjes, por kishte dal nga spitali në fillim të këtij muaji.
I lindur në Brooklyn, Clive Davis nuk e kishte planifikuar kurrë një karrierë në muzikë. Pas diplomimit në Harvard Law School, ai punoi si avokat dhe në vitin 1960 iu bashkua Columbia Records. Vetëm pesë vite më vonë u emërua president i kompanisë, duke nisur një nga karrierat më të suksesshme në historinë e industrisë muzikore.
Zbulimi i tij i parë i madh ishte Janis Joplin, të cilën e pa për herë të parë në Monterey Pop Festival në vitin 1967. Më pas ai firmosi kontrata me artistë që do të bëheshin legjenda, mes tyre Bruce Springsteen, Carlos Santana, Chicago, Earth, Wind & Fire, Aerosmith dhe Barry Manilow.
Në vitin 1973, Davis i dha një mundësi Billy Joel, albumi "Piano Man" i të cilit u kthye në pikën e nisjes drejt famës botërore. Ndër sukseset më të mëdha të karrierës së tij ishte edhe zbulimi i Whitney Houston, me të cilën realizoi shtatë këngë radhazi në vendin e parë të klasifikimeve amerikane.
Pas largimit nga Columbia Records në vitin 1973, mes akuzave për përdorim të fondeve të kompanisë, Davis themeloi Arista Records, ku vazhdoi të ndërtonte karrierat e artistëve të shumtë. Në vitin 2000 krijoi J Records dhe zbuloi Alicia Keys, albumi debutues i së cilës shiti mbi 10 milionë kopje dhe fitoi pesë çmime Grammy.
Gjatë viteve '90 ai u zgjerua edhe në muzikën hip-hop, duke investuar në Bad Boy Records të Sean "Diddy" Combs.
Clive Davis fitoi katër çmime Grammy dhe në vitin 2000 u pranua në Rock and Roll Hall of Fame. Ai vazhdoi të ishte aktiv në industrinë muzikore deri në fund të jetës, si drejtor kreativ i Sony Music dhe organizator i mbrëmjes tradicionale para ceremonisë së Grammy Awards.
Pas lajmit për ndarjen e tij nga jeta, Bruce Springsteen e kujtoi si "një mik të ngushtë" që i ndryshoi jetën, ndërsa Sony Music e cilësoi Davis si njeriun që ishte përgjegjës për një pjesë të madhe të historisë së muzikës së regjistruar.
Clive Davis do të mbahet mend si producenti me "veshin e artë", njeriu që zbuloi talente të jashtëzakonshme dhe ndikoi në formësimin e muzikës moderne për më shumë se gjysmë shekulli.

Lini një Përgjigje