
Kantoni i Urit e quan veten: shpirti i Zvicrës (die Seele der Schweiz). Ndoshta kjo është e vërtetë. Në Altdorf, kryeqyteti i kantonit, gjendet përmendorja e Wilhelm Tellit, heroit kombëtar zviceran, i cili e vrau me shigjetë tiranin habsburgas Hermann Gessler.
Deri në Altdorf shkohet me tren, nga aty me autobus deri në Bürglen (vendlindja e Tellit), pastaj në dy segmente me teleferikë deri te vendi i quajtur Biel (nuk duhet të ngatërrohet me qytetin dygjuhësor Biel/Bienne afër Bernit).
Ideja ishte që bashkë me kolegun tim Simon Widmer të ecnim shtegun dimëror Schächentaler Höhenweg. Por pas gjysmë ore ecjeje, papritur, na u shfaq djathorja Alpkäserei Kinzig, që udhëhiqet nga katër familje bujqish zviceranë. Në vend të ecjes një pjesë e konsiderueshme e ditës kaloi duke shijuar specialitetet e kuzhinës së Alpkäserei Kinzig, përfshirë Fondue, djathin e shkrirë alpin, i cili hahet duke i ngjyer copëzat e bukës në të.
Nuk ishim të vetmit në tarracën e restorantit me pamje ndaj kodrave mahnitëse përreth. Këtu buzë alpeve njerëzit shijonin pije të ndryshme dhe dëgjonin muzikë popullore zvicerane. Pastaj, dikur, vazhduam shtegun me bilanc modest: gati 10 kilometra.
Një fusnotë sa i përket përmendores së Wilhelm Tellit të realizuar në fund të shekullit të 19-të: paratë për përmendoren banorët i mblodhën vetë, qeveria federale dha një donacion. Pastaj një atelie në Paris mori parasysh kërkesat zvicerane për përmendoren: Telli duhej të prezantohej si burrë krenar, liridashës, trim, i vendosur dhe me veshje tradicionale të fshatarit zviceran. Ashtu ndodhi. Përmendorja u zbulua më 28 gusht 1895.
Ka ngrene buk me djath te shkrire maje malit, tregim suksesi, shembull per rajonin!!!