Legjenda e muzikës Paul McCartney ka zbuluar se Yoko Ono i kishte thënë dikur se mendonte që bashkëshorti i saj, John Lennon, “mund të kishte qenë homoseksual”.
McCartney dhe Lennon ishin pjesë e grupit legjendar The Beatles, ndërsa Lennon ishte i martuar me Yoko Ono nga marsi i vitit 1969 deri në vrasjen e tij më 8 dhjetor 1980.
Në një intervistë për Vanity Fair, McCartney tregoi se Ono e kishte telefonuar pak kohë pas vdekjes së Lennonit dhe i kishte ndarë këtë mendim.
“Sapo kishte ndodhur vdekja e Johnit dhe Yoko më telefonoi. Ajo më tha: ‘E di, mendoj se John mund të ketë qenë homoseksual’”, kujton McCartney.
Ai shtoi se nuk ishte dakord me këtë ide, pasi sipas tij gjatë viteve ’60 Lennon kishte pasur shumë lidhje me vajza dhe ai vetë nuk kishte parë kurrë ndonjë shenjë që ta mbështeste këtë teori.
Megjithatë, McCartney pranoi se në atë kohë kishin qarkulluar edhe thashetheme për një lidhje të mundshme mes Lennonit dhe menaxherit të grupit Brian Epstein, i cili ishte homoseksual. Por sipas tij, nuk kishte asnjë provë që diçka e tillë të kishte ndodhur.
John Lennon u vra në vitin 1980 në moshën 40-vjeçare nga një fans i fiksuar, Mark David Chapman. Ai dhe Yoko Ono kishin një djalë, Sean Ono Lennon, ndërsa Lennon kishte edhe një djalë tjetër, Julian Lennon, nga martesa e tij e parë me Cynthia Lennon.
Lini një Përgjigje