Indeksi global: Në Shqipëri, shkelen rregullisht të drejtat e punonjësve

27 Shtator 2022, 09:51Sociale TEMA


Të drejtat e punonjësve nuk janë përmirësuar në Shqipëri gjatë viteve 2020-2021, duke mbetur në nivelin 3 nga një sistem pikësimi ku 1 është vlerësim i lartë dhe 5 është vlerësim i ulët, sipas indeksit të të Drejtave Globale të Punonjësve që hartohen nën kujdesin Konfederatës Ndërkombëtare të Sindikatave dhe ILO-s.

Vlerësimi me 3 i Shqipërisë tregon se, të drejtat e punonjësve shkelen në mënyrë të rregullt. Indeksi tregon se në Europë, e drejta për grevë dhe e drejta për të negociuar kolektivisht kanë qenë më të shkelurat.

Nëpërmjet ratifikimit të Konventave të ILO-s, qeveritë e Europës Qendrore dhe Lindore u angazhuan për zbatimin e të drejtave të punëtorëve. Por në realitet, shumë punonjës në Europën Juglindore përballen me dhunim të të drejtave.

Ndërmjet viteve 2020 dhe 2021, Hungaria shënoi përkeqësim të indeksit nga 3 në 4, duke treguar një rritje të shkeljeve të të drejtave të punëtorëve. Situata nuk është përmirësuar gjatë vitit të kaluar dhe indeksi vazhdon të tregojë një “shkelje sistematike të të drejtave”.

Edhe Serbia dhe Rumania kishin të njëjtin rezultat. Dy vende që arritën zhvillime pozitive midis 2020 dhe 2021, Bosnjë dhe Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut, e konsoliduan progresin. Rezultati për këto vende mbeti në 3, duke treguar “shkelje të rregullt të të drejtave”. Në vitin 2020, të dyja vendet morën pikën 4.

Shqipëria, Bullgaria dhe Polonia u renditën gjithashtu në kategorinë 3, pa ndryshime të mëdha. Kroacia, Çekia, vendet baltike, Sllovakia, Mali i Zi dhe Moldavia u renditën në nivelin 2 të indeksit, me “shkelje të përsëritura të të drejtave”.

Indeksi vëren se, nuk ka asnjë shtet evropian që te kanë marrë vlerësimin më të keq prej 5+. Vitin e kaluar, Ukraina mori pikën më të keqe në nën-rajon, me 5, që tregon se, punëtorët “nuk kishin garanci për të drejtat”. Për shkak të luftës, Ukraina nuk u përfshi në raportin e këtij viti.

Vetëm pesë vendeve, Austria, Gjermania, Italia dhe Irlanda morën vlerësimin më lartë me pikën më të mirë (1). Sipas indeksit, këto janë vendet më të mira në botë për sa i përket zbatimit të të drejtave të punëtorëve.

Në Europën Qendrore dhe Lindore, ILO mbështeti përpjekjet e sindikatave për të përmirësuar klimën e të drejtave të punonjësve. Në Maqedoninë e Veriut, sindikatat zhvilluan një aplikacion në telefon celular ku punëtorët mund t’i raportojnë sindikatës shkeljet e të drejtave dhe kushtet e pasigurta të punës. Aplikime të ngjashme do të zhvillohen në të gjithë Ballkanin,

Ankesat më të shumta të punonjësve në Ballkan kanë të bëjnë me vonesat e pagave, punë jashtë orarit, të drejtën për pagë minimale dhe kontributet. 

Lini një Përgjigje