Një ngjarje tronditëse është regjistruar gjatë një transmetimi live në Kinë, ku një influencere e njohur ra papritur para kamerës dhe ndërroi jetë vetëm pak minuta më vonë.
Viktima është identifikuar si Wang Yefei, 39 vjeçe, e njohur në internet me emrin Wang Zha Jie. Ajo kishte krijuar një komunitet prej rreth 130 mijë ndjekësish, duke promovuar dhe shitur veshje për gra përmes transmetimeve të drejtpërdrejta në rrjetet sociale.
Sipas raportimeve të mediave lokale, në ditën e ngjarjes ajo kishte nisur transmetimin rreth orës 08:30 të mëngjesit, duke prezantuar produkte për ndjekësit e saj, ashtu siç bënte zakonisht. Por rreth gjysmë ore pas nisjes së livestream-it, situata ndryshoi papritur.
Influencerja filloi të ankohej për dhimbje të forta në kokë, qafë dhe shpatulla, duke treguar shenja të qarta shqetësimi. Në transmetim ajo kërkoi ndihmë nga personat që ndodheshin pranë saj dhe u kërkoi të telefononin numrin 120, shërbimin e urgjencës mjekësore në Kinë.
Në disa momente ajo paralajmëroi se mund të humbiste ndjenjat, ndërsa pak sekonda më vonë u rrëzua dhe transmetimi u ndërpre menjëherë.
Influencerja u transportua me urgjencë në spital, por pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ajo ndërroi jetë.
Sipas mediave lokale, shkaku i vdekjes ishte hemorragji në trungun e trurit, një gjendje shumë e rëndë që mund të shkaktojë përkeqësim të menjëhershëm të gjendjes shëndetësore dhe në shumë raste rezulton fatale brenda një kohe shumë të shkurtër./ The Sun
Lini një Përgjigje