Kërpudha vdekjeprurëse që mund të shndërrohet në ilaç kundër kancerit

24 Qershor 2025, 09:42Lifestyle TEMA
Kërpudha vdekjeprurëse që mund të shndërrohet në

Një kërpudhë toksike, e lidhur prej kohësh me vdekjet misterioze që pasuan hapjen e varreve të faraonëve në Egjipt, po rezulton të jetë një armë e re kundër kancerit. Studiues të udhëhequr nga Universiteti i Pensilvanisë kanë zbuluar se Aspergillus flavus, kërpudha që dyshohet se ka shkaktuar “mallkimin e faraonëve”, përmban molekula të fuqishme që luftojnë leuçeminë.

Kjo kërpudhë është përmendur për herë të parë pas zbulimit të varrit të mbretit Tutankhamun në vitet 1920, ku një sërë vdekjesh të anëtarëve të ekspeditës ngjalli frikën për një mallkim. Shkencëtarët besojnë se sporet toksike të kërpudhës, të fjetura për mijëvjeçarë, mund të kenë qenë përgjegjëse.

Raste të ngjashme janë raportuar edhe në vitet 1970, kur pas hyrjes në varrin e mbretit Kazimir IV në Poloni, 10 nga 12 shkencëtarët vdiqën brenda pak javësh. Hetimet më pas zbuluan praninë e Aspergillus flavus, një kërpudhë që lëshon toksina të rrezikshme për mushkëritë, veçanërisht tek personat me sistem imunitar të dobët.

Tani, kjo kërpudhë është kthyer në një burim të ri shprese. Një ekip studiuesish zbuloi katër peptide të reja, të quajtura aspergillomicina, të cilat treguan efekte të fuqishme kundër qelizave të leuçemisë.

“Një kërpudhë na dha penicilinë. Sot po zbulojmë se natyra vazhdon të na ofrojë ilaçe të reja përmes saj,” tha Sheri Gao, profesoreshë e Bioteknologjisë dhe autore kryesore e studimit të publikuar në revistën prestigjioze Nature Chemical Biology.

Nga katër molekulat e identifikuara, dy treguan efikasitet të lartë në shkatërrimin e qelizave kancerogjene, ndërsa një tjetër, e përforcuar me një lipid të ngjashëm me atë që ndodhet në peltenë mbretërore të bletëve, dha rezultate të ngjashme me dy ilaçe të njohura për trajtimin e leuçemisë: citarabina dhe daunorubicina.

Veçoria më e rëndësishme e këtyre përbërjeve është selektiviteti i tyre. Ndryshe nga shumë ilaçe që godasin çdo lloj qelize, aspergillomicinat prekën vetëm qelizat e leuçemisë, duke kursyer ato të gjirit, mëlçisë apo mushkërive.

Shkencëtarët tashmë po përgatiten për testime në kafshë, me shpresën që shumë shpejt ky zbulim të kalojë në provat klinike tek njerëzit dhe të shndërrohet në një trajtim të ri për këtë formë të rrezikshme të kancerit.

Lini një Përgjigje