Autoritetet e qytetit të Nju Jorkut kanë ngritur një padi të re ndaj kompanive më të mëdha të rrjeteve sociale, duke i akuzuar ato se po ushqejnë një krizë të shëndetit mendor tek të rinjtë, përmes krijimit të varësisë ndaj platformave online.
Në dokumentin gjyqësor 327-faqësh, të paraqitur në Gjykatën Federale të Manhatanit, qyteti kërkon dëmshpërblim nga Meta Platforms (kompania mëmë e Facebook dhe Instagram), Alphabet (pronar i Google dhe YouTube), Snap Inc. (pronar i Snapchat) dhe ByteDance, kompania që zotëron TikTok.
Sipas padisë, këto platforma kanë vepruar me neglizhencë të rëndë dhe kanë krijuar një “rrezik publik”, duke ndikuar negativisht në shëndetin mendor të miliona përdoruesve të rinj.
Autoritetet e Nju Jorkut pretendojnë se platformat janë projektuar për të "shfrytëzuar psikologjinë dhe neurofiziologjinë e të rinjve", duke nxitur përdorimin kompulsiv në kërkim të përfitimeve financiare.
Në dokument thuhet se 77.3% e nxënësve të shkollave të mesme në Nju Jork dhe 82.1% e vajzave pranojnë se kalojnë më shumë se tre orë në ditë në ekran, çka po çon në mungesë gjumi dhe mungesa kronike në shkollë.
Padia thekson se qyteti është detyruar të shpenzojë më shumë fonde publike për trajtimin e krizës së shëndetit mendor mes të rinjve, pas shpalljes së rrjeteve sociale si “rrezik për shëndetin publik” në janar 2024 nga komisioneri i shëndetësisë së qytetit.
Autoritetet e Nju Jorkut fajësojnë platformat edhe për përhapjen e fenomeneve të rrezikshme si “subway surfing”, hipja mbi ose anash trenave në lëvizje,që ka shkaktuar të paktën 16 viktima që nga viti 2023, përfshirë dy vajza të moshës 12 dhe 13 vjeç.
Në një reagim për Reuters, zëdhënësi i Google, Jose Castaneda, mohoi akuzat, duke thënë se “pretendimet për YouTube janë thjesht të pavërteta”, pasi “YouTube është një shërbim transmetimi video, jo një rrjet social ku njerëzit ndërveprojnë me miqtë”. Kompanitë e tjera nuk kanë komentuar ende.
Sipas Reuters, kjo padi është pjesë e një procesi më të gjerë që përfshin rreth 2,050 çështje të ngjashme në mbarë Shtetet e Bashkuara, të ngritura nga qeveri lokale, shkolla dhe individë kundër gjigantëve të teknologjisë për ndikimin e tyre në shëndetin mendor të fëmijëve.
“Këto kompani duhet të mbahen përgjegjëse për dëmet që kanë shkaktuar. Aktualisht, qyteti është ai që duhet të përballojë pasojat,” thuhet në padi./E.K
Burimi: Reuters
Lini një Përgjigje