Industria e modës ka hyrë në një epokë të re: Prada ka finalizuar zyrtarisht blerjen e shtëpisë ikonike të modës Versace për rreth 1.3 miliardë euro. Lajmi u konfirmua të martën, duke i dhënë fund muajve të negociatave mes dy gjigantëve italianë të luksit.
Marrëveshja paraprake ishte nënshkruar në prill me kompaninë amerikane Capri Holdings, por u bë e mundur vetëm pasi dështoi shitja e Capri tek Tapestry për shkak të shqetësimeve të autoriteteve rregullatore. Kjo i hapi rrugën Prada-s të rikthehej në tryezën e bisedimeve dhe ta përmbyllte blerjen.
Lorenzo Bertelli, djali i Miuccia Prada dhe Patrizio Bertelli, ka konfirmuar se do të marrë drejtimin ekzekutiv të Versace-s sapo integrimi të përfundojë. Ai deklaroi më herët se ky bashkim ka qenë një objektiv i hershëm i grupit Prada.
“Ka pasur kontakte edhe gjatë pandemisë. Kjo marrëveshje është kërkuar prej vitesh,” është shprehur Bertelli, duke theksuar se Versace përfaqësonte vlerë të lartë dhe rrezik të ulët financiar për kompaninë.
Versace, e themeluar në vitin 1978 nga Gianni Versace, njihet për stilin e saj të guximshëm dhe imazhin global. Nën pronësinë e re, marka do të integrohet brenda strukturave të Prada-s dhe linjave të saj kryesore, Prada dhe Miu Miu, duke shënuar një ndryshim të madh strategjik në modën italiane.
Ky tranzicion vjen edhe pas largimit të Donatella Versace në mars, e cila udhëhoqi krijimtarinë e markës për gati tre dekada. Tashmë drejtimin artistik e ka marrë Dario Vitale, ish-drejtor i dizajnit në Miu Miu.
Burimi: Reuters
Lini një Përgjigje