Akuzat e Ilir Metës, Minxhozi: Ka kaluar çdo lloj limiti, muhabet rruge! Dumani merret me fakte, nuk ka nevojë të futet në debatin e ndyrë politik

17 Prill 2024, 11:27Politika TEMA
Akuzat e Ilir Metës, Minxhozi: Ka kaluar çdo lloj limiti, muhabet

Drejtuesi i Prokurorisë Speciale, Altin Dumani ka rrëzuar akuzat e Ilir Metës se ishte takuar me ish agjentin e FBI-së, Charls McGonigal. 

Por Ilir Meta nuk e frenoi dozën e akuzave ndaj Altin Dumanit, madje e etiketoi kreun e SPAK-ut si kushëri të Nuredin Dumanit.

Lidhur me këtë çështje analisti Skënder Minxhozi ka deklaruar në emisionin “Real Story” se Meta e provokoi Dumanin, por ky i fundit merret me fakte dhe nuk ka nevojë të bëjë deklarata.

Ai e ka konsideruar këtë debat si muhabet rruge, pasi ka kaluar çdo lloj limiti.

Minxhozi: Dumani u ftua në një debat që ka kaluar çdo lloj limiti të pranueshëm. Është edhe më e rëndë se folklor, është një muhabet rruge, nuk mund të quhet dhe muhabet kafeneje. Janë kërcënime nga një zotëri që në të gjitha sondazhet e fundit që unë kujtoj del me preferencë njëshifrore.

Dumani hodhi poshtë anën faktike të akuzave të Ilir Metës. Dumani flet me vepra, nuk ka nevojë të futet fare në debatin e ndyrë politik. Ftesa dhe provokimi i Ilir Metës ishte për ta tërhequr SPAK-un dhe me një fjalor që nuk i takon kurrësesi një organi akuze që merret me faktet dhe me letrat, nuk ka nevojë të bëjë deklarata. Dumani ka bërë gjënë e drejtë, duke hedhur poshtë dhe takimin me MCGonigal.