Ambasadorja e Shqipërisë në OKB: Solidaritet me popullin iranian dhe aspiratat për liri

23 Janar 2026, 17:20Politika TEMA
Ambasadorja e Shqipërisë në OKB: Solidaritet me popullin iranian

Këshilli i Sigurimit të OKB-së, ka mbajtur këtë të premte, 23 janar, një mbledhje urgjente lidhur me gjendjen në Iran.

Në fjalën e saj, Suela Janina, ambasadore e Shqipërisë në OKB, u shpreh se vendi ynë shpreh shqetësim të thellë për situatën e krijuar në Iran, ku protestat kanë rezultuar në mijëra viktima.


“Shqipëria shpreh shqetësimin e saj të thellë lidhur me situatën në Iran, veçanërisht në kontekstin e protestave paqësore që nisën më 28 dhjetor 2025. Ne dënojmë fuqishëm përdorimin e tepruar dhe joproporcional të forcës kundër protestuesve paqësorë, që ka sjellë si pasojë mijëra viktima, plagosje masive dhe përdorimin e armëve të zjarrit dhe mjeteve të tjera të ndaluara, në shkelje të hapur të së drejtës ndërkombëtare të të drejtave të njeriut”, tha ajo.

Më tej, Janina tha se Shqipëria riafirmon të drejtën për liri, si dhe të drejtën e organizimit të protestave paqësore.

“Ne shprehim shqetësimin tonë të thellë për arrestimet arbitrare në shkallë të gjerë, përfshirë edhe arrestimin e fëmijëve, si dhe për zbatimin arbitrar të dënimit me vdekje ndaj protestuesve të arrestuar së fundmi. Shqipëria riafirmon të drejtën e të gjithë iranianëve për të jetuar në liri dhe siguri personale, si dhe të drejtat për lirinë e shprehjes, të organizimit dhe të tubimit paqësor”, tha ajo.

Sakaq, ambasadorja e Shqipërisë cilëson se duhen hetime të hershme lidhur me shkeljet e kryera në Iran, ashtu sikurse thekson se vendi ynë shpreh solidaritet të plotë me popullin e Iranit.

“Shqipëria thekson nevojën urgjente për të siguruar përgjegjësi për shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut dhe për të gjitha krimet sipas së drejtës ndërkombëtare. Shqipëria mbështet fuqishëm zgjatjen e misionit të pavarur për mbledhjen e fakteve dhe të mandatit mbi situatën e të drejtave të njeriut në Iran. Ne inkurajojmë hetime të hershme mbi shkeljet e fundit dhe ato në vazhdim, përfshirë edhe me synimin e procedimeve të ardhshme gjyqësore brenda mandateve të tyre.

Së fundi, Shqipëria rithekson mbështetjen dhe solidaritetin e saj me popullin iranian dhe aspiratat e tij për liri dhe të drejta themelore, si dhe për një të ardhme më të mirë”, përfundon ajo.

Nga të dhënat e deritanishme, rreth 5 mijë e 500 të vrarë kanë mbetur nga protestat kundër regjimit në Iran.

Nga të dhënat e autoriteteve iraniane, përleshjet më të ashpra dhe numri më i lartë i vdekjeve janë në zonat kurde në Iranin veriperëndimor.

Protestat mbarëkombëtare shpërthyen më 28 dhjetor për shkak të vështirësive ekonomike, duke u kthyer në demonstrata që kërkonin fundin e sundimit klerikal të Ajatollahëve, duke rezultuar në trazirat më vdekjeprurëse që nga revolucioni islamik i vitit 1979.

Lini një Përgjigje