Ankesa e PD për rezultatin e zgjedhjeve në Kukës, KAS shtyn shqyrtimin e ankimimit

30 Maj 2025, 12:28Politika TEMA
Ankesa e PD për rezultatin e zgjedhjeve në Kukës, KAS shtyn

Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve, ka shtyrë për herë të dytë shqyrtimin e ankimit të Partisë Demokratike për qarkun Kukës lidhur me zgjedhjet e 11 majit.

KAS do të mblidhet sërish ditën e hënë për ankimin e demokratëve, pasi shprehet se nuk disponon provat e mjaftueshme për çështjen, por dhe se duhet bërë verifikimi i të dhënave e pretendimeve të ngritura nga Partia Demokratike.

Opozita nuk u tërhoq nga pretendimet e saj, se pati deformim të votës së diasporës, manipulim rezultatesh, përdorim të administratës shtetërore, presione dhe deri tek parregullsitë e tjera, si përfshirja e bandave kriminale. Sot ishte dita ku PD-ADSHM kishte si detyrë të paraqiste provat e pretenduara sipas vendimit të mbledhjes së kaluar, që më tej KAS t'i shqyrtonte nëse qëndronin dhe në fund të shprehej me një vendim.

Këto pretendime deri tani janë rrëzuar ose janë në shqyrtim, teksa PD ka paraqitur si prova lajme nga portale dhe media pranë familjes së Sali Berishës. Madje relatori Ilir Rusmali iu drejtua edhe me pyetje Franc Nurit, përfaqësuesit ligjor të PD nëse ky postim në portal përbënte provë për denoncim, ndërsa përfaqësuesit e KQZ u shprehën se nuk mund të rrëzohen zgjedhjet me lajme mediash e portalesh.

Mbledhjen e kaluar KAS rrëzoi tre kërkesa të PD; atë për të hapur kutitë, kërkesën për kryqëzimin e shenjave të gishtave nga pajisjet PEI me votuesit dhe kërkesën për vënen në dispozicion të regjistrave të posaçëm të çdo qendër votimi.

Nga ana tjetër KAS, pranoi të shikohen firmat e votuesve në diasporë, që janë sjellë në KQZ nga kompania postare DHL, si edhe raportin e audituesve teknicienë.

 

Lini një Përgjigje