Deputeti i Partisë Demokratike, Kreshnik Çollaku është shprehur se situata në Parlament gjatë ditës së sotme ku “Rithemelimi” bllokoi foltoren, dëmton opozitën.
Komentet Çollaku i bëri gjatë një deklarate për mediat pas daljes nga salla e Kuvendit, ku tha se debati në seancën plenare është arma kryesore e opozitës dhe argumentoi se kjo mënyrë e bllokimit të seancave nuk po rezulton aspak efektive madje po jep efekt të kundërt.
“Edhe kjo e sotmja është seancë anormale. Një anormalitet i cili në thelb dëmton opozitarizmin dhe debatin parlamentar që është e vetmja armë që çdo opozita ka për të ushtruar funksionet e saj.
Siç e patë qeveria, në komoditet të plotë për interesin e saj kaloi për pak minuta 4-5 ligje shumë të rëndësishme, një prej tyre për Diasporën.
Kjo situatë që për një periudhë kohe e mirëkuptuam për solidaritet opozitar. Kjo nuk po rezulton efektive. Unë dua të inkuraoj ata zëra racionale nga krahu tjetër duke i bërë të kuptojnë se në këtë mënyrë bllokojnë vetëm opozitarizmin.
Siç e shihni mazhoranca nuk e ka fare problem dhe në papërgjegjshmëri të plotë i kalon ligjet pa u merakosur pa pasur debat. Kjo rrugë nuk po rezulton e suksesshme dhe po shkon në të kundërt duke i dhënë një komoditet mazhorancës”,- tha Çollaku.
Lini një Përgjigje