Clinton, ‘presidenti i shqiptarëve’

3 Korrik 2023, 19:30Politika TEMA

Clinton, ‘presidenti i shqiptarëve’

Ishte 24 marsi i vitit 1999, nga zyra ovale e Shtëpise së Bardhë bota dëgjoi nga zëri i Presidentit Bill Clinton urdhrin për të bombarduar Serbinë. Të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, avionët luftarakë të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut në këtë ditë të vitit 1999 filluan fushatën e bombardimeve kundër objektivave ushtarake serbe në ish-Jugosllavi që zgjati deri më 10 Qershor 1999.

“Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tanë të NATO-s bënë përpjekje të përsëritura për të gjetur një zgjidhje paqësore të krizës në Kosovë. 

Megjithatë, presidenti Millosheviç, i cili filloi luftërat kundër Kroacisë dhe Bosnjës, zgjodhi agresionin në vend të paqes dhe shkeli zotimet që mori vjeshtën e kaluar për të ndaluar represionin brutal të Kosovës. 

Sulmet ajrore të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të NATO-s kanë tre objektiva: Për të penguar presidentin Millosheviç që të vijojë të përshkallëzojë sulmet e tij ndaj civilëve të pafuqishëm.

Për të demonstruar seriozitetin e kundërshtimit të NATO-s ndaj agresionit dhe mbështetjen për paqen. 

Nëse është e nevojshme, të dëmtojmë kapacitetin e Serbisë për të vijuar luftën kundër Kosovës duke zvogëluar seriozisht aftësitë e saj ushtarake”, deklaronte Clinton.

Operacioni ndaj regjimit të Sllobodan Millosheviç ndali abuzimet e të drejtave të njeriut në Kosovë me mbi 800 mijë njerëz të detyruar të shpërngulen nga shtëpitë e tyre ndërsa mbetën të vrarë mbi 10 mijë vetë.

Ky ishte misioni i dytë i rëndësishëm i NATO-s, pas bombardimeve në Bosnjë e Hercegovinë në vitin 1995. Sulmet ajrore kundër forcave serbe e malazeze vazhduan deri më 9 Qershor të vitit 1999, kur u arrit Marrëveshja e Kumanovës, e cila ndryshe njihet edhe si kapitullimi i ish-presidentit serb Sllobodan Millosheviç. 

Më 11 qershor forcat serbe u detyruan të lënë territorin e Kosovës. Më 11 qershor të vitit 2009 Clinton u nderua nga ish-presidenti Hashim Thaçi me “Urdhrin e Lirisë” për kontributin e tij në çlirimin e Kosovës.

Presidenti Bill Clinton ka më shumë se 22 vjet që ka lënë detyrën e kreut të shtetit në SHBA. Por në memorien e kombit tonë ai mbetet personaliteti më i rëndësishëm pro-shqiptar dhe ai që ka bërë më shumë se askush tjetër për shqiptarët. 

Vizita e tij në Tiranë është një moment historik për të shprehur mirënjohjen personale ndaj tij, por edhe mirënjohjen historike ndaj SHBA.

1 Komente

  1. k
    k

    Tregoini ati koqe-kurtit.

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje