Forumi i Dialogut Politik shkoi dje në sheshin e Adriatik Lapajt të “Shqipëria Bëhet” për të prezantuar platformën e bashkëpunimit të opozitës dhe tryezën që pritet të organizohet së shpejti. Forumi i Dialogut Politik ka takuar dje edhe kryetarin e LZHK-së, Dashamir Shehi, ndërsa sot pritet të ketë takime edhe me parti të tjera të spektrit opozitar.
Ermal Hasimja është një prej themeluesve të nismës Forumi i Dialogut Politik, e prezantuar pak ditë më parë publikisht, që ka si synim një marrëveshje bashkëpunimi të të gjitha partive opozitare për të ndryshuar situatën politike në vend. Në një intervistë për Terma, Ermal Hasimja flet për synimet e kësaj nisme dhe sfidat që priten në këtë udhëtim deri në tryezën e përbashkët dhe më pas në një marrëveshje për t’u përballur me një mazhorancë në mandatin e katërt.
Angazhimi i elektoratit të tërhequr, që nuk shkon në votime, është sfida kryesore e këtij angazhimi, një elektorat që i përket kryesisht të djathtës. Hasimja flet për rolin e munguar të shoqërisë civile dhe arsyet pse intelektualët qëndrojnë indiferentë ndaj zhvillimeve politike në Shqipëri.
Ndër sfidat kryesore të arritjes së një marrëveshjeje mes partive opozitare është marrëdhënia e acaruar mes këtyre partive, që në disa raste është edhe më e ashpër sesa me “armikun” e përbashkët, mazhorancën në mandatin e katërt me 83 vota. Por Hasimja dhe bashkëthemeluesit e kësaj lëvizjeje besojnë në rezultate pozitive dhe flasin për reagime shumë pozitive të elektoratit të djathtë. Hasimja thotë se nuk ka kufizime për asnjë parti, qoftë edhe ajo e Arlind Qorit, me të cilin vetë Hasimja ka pasur përballje të shpeshta në publik për qëndrime krejt të kundërta, kryesisht ideologjike.
Hasimja flet për pikat ku partitë mund të bashkohen dhe ato ku ndahen, si dhe, si analist, flet për zhvillimet në PD dhe problematikat e një partie që zvogëlohet gjithnjë e më shumë, për protestat që japin idenë e një reagimi shoqëror kundër korrupsionit qeveritar. Analisti Ermal Hasimja flet edhe për raportet e drejtësisë me politikën dhe presionin e mazhorancës ndaj drejtësisë në çështje të rëndësishme, siç është ajo e hetimit të zv.kryeministres Belinda Balluku.