INTERVISTA: Zelensky në Tiranë, kryministri Rama zbulon detajet

27 Shkurt 2024, 20:30Politika TEMA
INTERVISTA: Zelensky në Tiranë, kryministri Rama zbulon detajet

Ndërsa presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky, pritet të vijë në Shqipëri, kryeministri Edi Rama ishte këtë të martë i ftuar në një intervistë me Alice Taylor për Euronews Albania. Ai ka folur rreth pritshëmrive të tij për këtë takim si dhe për dy samitet që do të zhvillohen në dy ditët në vijim.

Rama tha gjatë intervistës, se ideja për të organizuar samitin që do të zhvillohet në 28 shkurt, lindi pas një bashkëbisedimi me presidentin ukrainas dhe duke qenë se edhe ftesat i kishin dërguar së bashku, ky mund të quhet një samit i të dy vendeve.

Kryeministri Rama u përgjigj gjithashtu për disa çështje me rëndësi, si nga pritshmëritë që ai ka nga Samiti për Ballkanin Perëndimor, njohja e pavarësisë së Kosvës nga Ukraina, zgjedhjet në Parlamentin Europian e deri në zgjedhjen e kreut të ri të NATO-s.

Intervista e plotë e kryeministrit Edi Rama për Euronews Albania:

Alice Taylor: Është javë e rëndësishme për Shqipërinë. Po sillni presidentin Zelensky në Tiranë. Po dëgjojmë të flitet për lodhje ndaj Ukrainës. Ka probleme në Europë në përmbushjen e kërkesave për armatime, për shembull, probleme me arritjen e konsensusit për financime. Ajo që dua të di është se çfarë do të sjellë ndryshe ky samit? Të hënën ishte takimi në Paris, një tjetër takim për Ukrainën do të mbahet në Zvicër. Çfarë risie sjell Tirana?

Edi Rama: Ndihem i përulur dhe i nderuar që bisedova me presidentin Zelensky, dhe që dëgjova sa rëndësi ai i jep Ballkanit Perëndimor dhe rajonit tonë, përfshi disa anëtarë të NATO-s përreth Ballkanit Perëndimor. Ideja për të organizuar samitin na lindi në bashkëbisedim. Në fakt, ftesat i kemi dërguar së bashku dhe samitin po e organizojmë të dyja palët. Në këtë pjesë të botës demokratike, nuk ka probleme me mbështetjen për Ukrainën, për integritetin territorial të saj. Gjithashtu, nuk ka probleme me të kuptuarit se Ukraina nuk po lufton vetëm betejën e saj, por ajo është domethënëse edhe përtej Ukrainës. Ato që ju përmendët janë gjëra të vërteta dhe shqetësuese. Ne bëjmë atë që mundemi. Nuk po mblidhemi në Tiranë për të ndryshuar rrjedhën e gjërave për të gjithë komunitetin demokratik. Në anën tjetër, nuk do të nënvlerësoj kontributin dhe ndikimin, ndaj po bëjmë detyrën tonë dhe sërish mendoj se është nder i madh për Shqipërinë që mirëpret këtë samit.

Alice Taylor: Cilat janë pritshmëritë tuaja për rezultate konkrete nga ky samit? Flasim për premtime për financime, ndihmë në forma të tjera, përpjekje humanitare, premtime politike?

Edi Rama: Dëgjoni, duhet të tregohemi realistë. Shqipëria, për shembull, është në top dhjetëshe në listën e kontribuuesve, por në terma relativë sipas kapaciteteve. Ndërkohë, jemi shumë të ndërgjegjshëm që nuk mund ta ndryshojmë dinamikën e kësaj lufte me çfarëdo që bëjmë. Por, thënë kjo, është e rëndësishme që të gjithë të bëjnë pjesën e tyre. Ndoshta, duke parë vendet tona, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Kroacinë, Bullgarinë, Serbinë, Bosnjen… ne jemi së bashku, mbështesim dhe jemi në solidaritet të plotë me Ukrainën… kjo do t’i thotë diçka shteteve më të mëdha dhe më të pasura. Premtimet janë aty, angazhimi po ashtu, por nuk jam i sigurt se justifikimet për gjithë këto vonesa mund të zgjasin edhe për shumë kohë. Të gjithë duhet të mbajnë premtimet.

Alice Taylor: Është një shans për rajonin që të udhëheqë përmes shembullit.

Edi Rama: Duke u treguar modestë, dhe pa menduar se po i japim dikujt leksione apo se po i tregojmë të tjerëve si bëhen gjërat, thjesht duke bërë pjesën tonë.

Alice Taylor: Kam një pyetje sa i takon Kosovës. Kosova ka qenë e zëshme në mbështetjen për Ukrainën, por Ukraina ka deklaruar se nuk do ta njohë Kosovën. Është kjo diçka që mund ta diskutoni me Zelenskyn gjatë vizitës së tij?

Edi Rama: Dëgjoni, gjëja më e fisme që Kosova po bën është se po tregohet besnike ndaj vlerave të saj. Kjo e nderon Kosovën dhe nuk bëhet për të përfituar diçka. Kosova po bën gjënë e duhur, fillimisht për veten e saj, sa i takon besnikërisë ndaj vlerave të saj. Sigurisht, rruga drejt njohjes nga Ukraina është e gjatë, por është pozitive që Kosova do jetë pjesëmarrëse. Presidentja Osmani ju përgjigj shumë shpejt ftesës dhe do të jemi të gjithë së bashku aty. Pavarësisht mosmarrëveshjeve, çështjeve të ndërlikuara mes vetes, të gjithë do të jenë aty me Ukrainën, për diçka që na lidh të gjithëve, në mënyra të ndryshme.

Alice Taylor: Përgjatë dy ditëve dhe dy eventeve, mendoni se do të ketë mundësi për Kosovën dhe Serbinë të bisedojnë?

Edi Rama: Në njërën anë, sidomos gjatë ditës së dytë që është samiti me BE-në për planin e rritjes, kjo është një mënyrë për t’u ulur së bashku duke lënë mënjanë çështjet dypalëshe, sa i takon mosmarrëveshjeve politike, nën një kauzë që është e përbashkët. Plani i ri i rritjes ka një veti, ai kushtëzohet nga situatat e ndryshme në secilin shtet. Nuk ka drekë falas me Bashkimin Europian. Ka drekë falas në Shqipëri, por jo në BE. Ndaj, duhet të përmbushen kushtet dhe një kusht që është i pamundur të ndahet nga i gjithë rrugëtimi i planit të ri të rritjes është plotësimi i çdo hapi kur bëhet fjalë për marrëdhëniet fqinjësore, jo vetëm në rrafsh politik por në radhë të parë për lëvizjen e lirë. Nuk mund të kërkosh më shumë nga Europa dhe nga tregu i përbashkët europian nëse nuk mund të sillesh si një shtet europian dhe nuk hap kufijtë për të gjithë. Kjo është ajo që Kosova dhe Serbia duhet të bëjnë, përndryshe nuk do të marrin atë që ju takon sipas planit të rritjes.

Alice Taylor: Sa i takon samitit të dytë mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, cili është synimi juaj? Çfarë përfundimesh prisni?

Edi Rama: Që të qartësohet se kjo është punë e përbashkët. Kemi më në fund një instrument që nuk e kishim me Procesi ne Berlinit, nuk mundëm ta kishim me Ballkanin e Hapur, dhe që e kemi tani për të punuar së bashku për gjërat e vërteta dhe të mërzitshme, që janë korsitë e gjelbra, garantimi i të gjitha parimeve të Procesit të Berlinit dhe objektivave të CEFTA-s, për ta bërë këtë rajon një hapësirë më të madhe ekonomie për të gjitha vendet. Më vete jemi shumë të vegjël, por së bashku, nëse jemi një treg i integruar, mund të merremi parasysh. Kjo është ajo që përkrah prej 10 vitesh, dhe tani kjo vjen edhe me incentiva. Janë financa shtesë, mundësi të hapura për t’u integruar më shumë me tregun e përbashkët europian. Të shohim.

Alice Taylor: E shihni këtë si një hap përpara më konkret? Sepse zgjerimi ka mbetur në vend, nuk po lëviz si duhet.

Edi Rama: Çdo hap para që na bashkon mes nesh, është një hap para drejt Bashkimit Europian. Çdo hap para drejt Bashkimit Europian, është hap para drejt zgjerimit.

Alice Taylor: Do të ketë zgjedhje në Parlamentin Europian në qershor. Gjërat me gjasa do të ndryshojnë. Shohim se ekstremi i djathtë në Europë po fuqizohet, mund të ndryshojë presidenti i Komisionit Europian, ndoshta jo. Jeni i shqetësuar për këtë?

Edi Rama: Është e trishtë dhe ndoshta jo shumë pozitive të thuhet, por diçka është e sigurt. Gjithçka mund të ndryshojë në Europë, por jo Vladimir Putin. Për sa kohë Vladimir Putin nuk ndryshon, alarmi në veshët e anëtarëve të BE-së do të vazhdojë. Ashtu si Vladimir Putin e ndihmoi BE-në të zgjohej nga një gjumë i gjatë dhe i vetëkënaqur, po ashtu Ballkanin Perëndimor, Ukrainën, Moldavinë, ky është një efekt kolateral pozitiv i këtij makthi. Nuk e shoh të vihet në dyshim zgjerimi sepse gjithnjë e më shumë po vërtetohet në sytë e anëtarëve të BE-së ajo që kemi thënë kohë më parë. Po aq sa na nevojitet BE-ja, edhe atyre ju nevojitemi. Pse? Për atë që është më e shtrenjta për ju, sigurinë. Nuk ka të bëjë me zgjerimin, por me integrimin dhe bashkimin.

Alice Taylor: Sa i takon ndryshimit të udhëheqjes edhe në NATO. Mark Rutte me gjasa kandidon për postin. Si e shihni këtë? E mbështesni kandidaturën, apo do donit të shihnit tjetërkënd aty? A do të marrë tjetër rrjedhë drejtimi?

Edi Rama: Mark Rutte që largohet nga posti i kryeministrit në Holandë dhe që lë bosh ulësen e tij në Këshillin Europian, nuk është lajm i mirë për Këshillin dhe Europën. Por Mark Rutte që shkon në NATO është lajm i mirë për NATO-n. Është 100% kandidati ynë dhe jam i sigurt se me Mark Rutten në drejtim, NATO do të ketë një politikan të zotë dhe një udhëheqës të vërtetë që di si të merret me situatat e vështira, që është dëshmuar shumë i aftë në bërjen e kompromiseve, edhe duke krijuar koalicione të pamundura. Ai është gjithashtu një person që mund të jetë zëri i Europës në SHBA dhe njëkohësisht zëri i SHBA-së në Europë.

Alice Taylor: Në një kohë kur Trump ndoshta kthehet. A ju shqetëson si mund të ndryshojnë dinamikat?

Edi Rama: Mark Rutte është njeriu i duhur për t’i folur çdo preisdenti amerikan. Më besoni, e di mirë këtë gjë.

Alice Taylor: Pyetja ime e fundit. Gjithë sytë e botës do të jenë në Tiranë sërish nesër dhe pasnesër. Është samiti i radhës në vazhdën e disa samiteve të profilit të lartë që keni organizuar. Çfarë doni që t’ju mbetet njerëzve nga kjo?

Edi Rama: Thjesht të jenë krenarë për atë që kemi bërë, të jenë krenarë për çfarë po bëhemi, dhe të punojnë me krenari, të bëjë secili më të mirën e tij, që Shqipëria të arrijë potencialet pa humbur më shumë kohë.

Alice Taylor: Shumë faleminderit.

2 Komente

  1. L
    Leckamani

    Rama shko mblidh xhaketat qe hedhin ukrainasit te veshesh Shqiptaret

    1. K
      Kalec Dega

      Ca zbuloi ky, qe USA e njeh per mikun e atij qe hyri ne burg....lol non grata edi, lol, soon

      Lini një Përgjigje