Legjenda e shumicës relative të Foltores brenda opozitës

27 Shkurt 2024, 19:50Politika TEMA
Legjenda e shumicës relative të Foltores brenda opozitës

Nga Ylli Pata

Sondezhet e fundit, të bëra në opinion, e kanë radhitur partinë e Sali Berishës, e cila është me emrin e PD-së por që s’e njeh kush, si forcën me shumicë relative brenda votuesve të opozitës.

Ndërkaq, orët e fundit po shikojmë një provokim publik të figurave më të reja të Foltores, Gaz Bardhit dhe Agron Gjekmarkajt ndaj Lulzim Bashës. Nuk se nuk ka pasur më përpara, por këto orë janë shtuar, pikërisht kur PD zyrtare, është bërë faktor parlamentar me anë të kreut të grupit Enkelejd Alibeajt. I cili, si për amnistinë, ashtu edhe për reformën zgjedhore, ka dhënë opsionet e tij. Ku spikati, rrëzimi i tezës që të ketë qoftë edhe një amendament, ku të flitet për një mëshirë për atë kategori që është në lupën e SPAK e Gjykatës Speciale.

Ndërkaq, Lulzim Basha vetë nuk i përgjigjet fare akuzave dhe sulmeve të deputetëve të veçantë, si përshembull Gjekmarkaj apo Bardhi. Përveç ndonjë polemike direkte me Sali Berishën, Basha, në fakt nuk është marrë me polemikat mbi akuzat që i bëhen.

Nëse i referohemi politikës si logjikë, nëse Lulzim Basha është pakicë, atij i duhet të faktorizohet duke sulmuar pa fund të gjithë personazheve të rinj e të vjetër të foltores së Sali Berishës. Për t’i tërhequr në një polemikë të fortë, që të fitojë sa më shumë, pasi pakica, duke qenë e tillë nuk ka çfarë humb.

Por duket se situata brenda opozitës është pak me e komplikuar, sa sipas gjasave nuk e lexojnë as sondazhet.

Lulzim Basha, aktualisht është kryetar i një partie që natyrisht nuk është Partia Demokratike e para 8 janarit 2022 apo 6 marsit 2022.

Lulzim Basha është kryetar i asaj partie, që ka mbetur e bashkuar prej sulmit që Sali Berisha, liderireal i Partisë Demokratike deri në 6 shtatorin 2021, ka ndërmarrë ndaj partisë së tij që e nxorri jashtë.

Lulzim Basha, është shefi i një strukture apo edhe bërthame ta quajmë militantësh të dorës së parë të PD-së, të cilët nuk i dorëzuan çelësat e selive dhe akrivave të tyre aradhës së egërsuar të foltores Berishjane në vitin 2021 dhe 2022.

Siç tashmë dihet, kjo strukturë, pra degët e PD-së, u përplasën pas 6 marsit shumë fort, por kronika e kësaj përlasje kurrë nuk u dha e plotë në mediat shqiptare. Atë ditë, degët e PD-së ishin kundër largimit të Lulzim Bashës dhe grupi parlamentar thanë që ju nuk jeni asgjë. Atëherë, krerët e degëve ju përgjigjën, realisht ju nuk jeni askush pa ne. Dhe nisi kështu armiqësia e fortë e madhe mes palëve që nuk u rregullua kurrë. Ndaj deputetët që u akuzuan më shumë nga strukturat e bazës së PD-së kaluan me Berishën, jo menjëherë e jo të gjithë, por siç u pa thuajse të gjithë.

Dhe në zgjedhjet e para që ju erdhën në derë, deputetët, me në krye Gaz Bardhin që ishin brenda PD-së ndaluan partinë e tyre që të marrë pjesë në zgjedhjet vendore të 14 majit 2023. Vendimi më absurd që nuk ndodh në historinë e ndonjë partie, ku një sekretar i përgjithshëm i një partie, të mos lërë forcën e tij politike të marrë pjesë në zgjedhje. Rekord për Guiiness. Nejse.

Më pas, ndodhi ajo që ndodhi. Sali Berisha dhe aleanca e tij me Gaz Bardhin e shokët e tij u fundos në të gjithë Shqipërinë. Por edhe këtu ka një fenomen që është komentuar pak. Në disa zona të vendit, si në Kavajë ku

fitoi kandidati i Foltores, apo edhe në Durrës që ishte Igli Cara, apo Luçiano Boçi në Elbasan, strukturat e PD-së miratuan në heshtje kandidaturat, as duke u angazhuar shumë, por as duke kërkuar njerëzit e tyre të votonin kundër.

Kjo është fakt jo vetëm i provuar, por i dalë edhe nga të dhëna statistikore që i përgjigjen kampioneve precedente elektorale.

Shkodra për shembull është etaloni që ja vlen që të shikohet si një zhvillim politik. Ku përveç humbjes së kandidatit të Sali Berishës dhe Ilir Metës, vërehet edhe një hendek i madh votash të djathta, të cilët këtë herë kanë votuar për Benet Beçin. Mjafton të shikosh procesverbalet e QV-ve në 3 zgjedhjet e fundit për ta vërtetuar këtë.

Po ashtu në Tropojë, Kukës, apo edhe në vende të tjera. Debati se sa peshë ka struktura e qëndrestarëve të PD-së që drejton Lul Basha, duhet bërë padyshim.Siç duhet bërë një zbythje e kësaj strutkture nga logjika apo politika kundër berishizmit.. Sondazhet sipas të gjitha gjasave nuk arrijnë ta lexojnë këtë situatë të komplikuar në arqipelagun tashmë të PD-së që shkatërroi Sali Berisha. Duhet zgjedhur një kampion tjetër ndoshta, megjithatë kjo është punë e ekspertëve.

Fakt është se në territor, degët më të organizuara nuk i ka foltorja, por PD e Bashës, e cila gjithsesi është e dobët në debatin publik. Por fakt është se foltorja, ka më shumë zhurmë, por as pjesëmarrje politike në terren, e natyrisht as peshë në shumicën e votuesve opozitarë. Këtë e tregoi 14 maji i vitit që shkoi.

Lini një Përgjigje