
Nesër më 23 shkurt në orën 10:00 do të zhvillohet mbledhja e Këshillit të Imunitetit në Kuvendin e Shqipërisë për shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër zv kryeministres e njëkohësisht ministres së Infrastrukturës Belinda Balluku. Kjo e fundit është pezulluar nga detyra, ndërsa SPAK kërkon arrestimin.
Edhe pse kryeministri Edi Rama kishte deklaruar më parë se nuk kishte urgjencë për trajtimin e kërkesës, duke argumentuar se Balluku mund të hetohej lehtësisht ndërsa është e pezulluar, Partia Socialiste duket se ka ndryshuar qasjen. Fillimisht, socialistët paralajmëruan se do të prisnin publikimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, por vendimi për thirrjen e Këshillit të Imunitetit erdhi pas një kërkese të Bashkimit Europian, që vuri theksin tek nevoja për një trajtim të shpejtë të çështjes të imunitetit parlamentar, si pjesë e angazhimeve për luftën kundër korrupsionit.
Heqja e imunitetit nga Kuvendi do t’i mundësonte SPAK-ut të kërkojë masa të tjera ndaj Ballukut, duke përfshirë arrestin me burg, arrestin në shtëpi apo masa kontrolli në banesë. Megjithatë, për këto masa, autoriteti i Kuvendit mbetet vendimtar. Për veprime të tjera si “detyrim paraqitje” apo kontrolli i pasaportës, SPAK nuk ka nevojë për autorizim parlamentar.
Ndërkohë, ndryshimet e reja në Kodin e Procedurës Penale, të cilat kërkojnë 84 vota në Parlament, nuk mund të jenë të vlefshme mbi rastin Balluku. Këto ndryshime kufizojnë mundësinë e gjykatës për të marrë masa ndaj individëve me poste të larta shtetërore, duke përjashtuar arrestin apo pezullimin për disa kategori, por nuk ndikojnë mbi masën aktuale të pezullimit të ministres.
Vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese, i marrë me ndarjen e votave 4-4, la në fuqi vendimin e Gjykatës së Lartë për pezullimin e Ballukut nga detyra, duke konfirmuar se është e domosdoshme që ajo të mos ushtrojë detyrën, ndërkohë që vazhdon hetimi.
Balluku është në hetim nga SPAK për shkelje të barazisë në tenderin e Tunelit të Llogarasë dhe për disa lote të Unazës së Madhe. Parlamenti pritet të trajtojë raportin për imunitetin në seancën plenare të 5 marsit.
Llukubabashtà
Shpresoje qe parlamenti te mos votoje heqjen e imunitetit , ndersa drejtesia te beje punen e vehte , gjykata te vendosi fajesine apo pafajesin.....kjo eshte llogjika demokratike
Këshilli i mandateve nuk ka arsye të refuzojë heqjen e imunitetit të zonjës Balluku. Heqja e mandatit nuk do të thotë aspak se zonja është fajtore për akuzat ndaj saj. Dyshimi do të shtohej në mënyrë eksponenciale nëse zonjës i hiqet mandati. Tek e fundit, vite më parë, heqja e mandatit ka qënë një kërkesë kolektive e deputetëve të kuvendit. Të votohet kundër heqjes së mandatit për zonjën Balluku, në këtë rast do të thotë se po shkelet mbi dëshirën vullnetare të deputetëve për të mos patur fare imunitet përballë një kërkesë të bërë nga drejtësia. Unë gjithashtu, vë bast me këdo se edhe ndryshimet në kodin penal nuk kanë për t'u paraqitur fare në parlament, kjo për faktin se kërkesa e zotit kryeministër dhe jehona e kërkesës së tij bërë në Gjykatën Kushtetuese ka patur një efekt domethënës, gjë që e bënë jo të domosdoshëm idenë e çdo ndryshimi ligjor.
Korigjim: nëse Zonjës s'i hiqet mandati