Kreshnik Spahiu: Kosova dhe Shqipëria duhet të protestojnë bashkë për lirimin e 4 krerëve të UÇK-së

8 Gusht 2025, 13:56Politika TEMA
Kreshnik Spahiu: Kosova dhe Shqipëria duhet të protestojnë

Juristi Kreshnik Spahiu e quan të vonuar protestën e mbajtur dje në Prishtinë në mbështetje të 4 ish-liderëve të UÇK-së në Kosovë, (mes tyre edhe ish-presidenti Hashim Thaçi), që akuzohen dhe po gjykohen nga Tribunali i Hagës.

Ai apeloi publikisht për një organizim të një proteste edhe më të fuqishme jo vetëm në Kosovë, por edhe në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut nga faktori shqiptar dhe dërgimin e një mesazhi dhe presioni për drejtësi nga Gjykata e Hagës dhe lirimin e tyre, të bazuar në prova e fakte dhe jo në një proces të padrejtë dhe antiligjor si deri tani.

Ai i cilësoi një fabrikim akuzat dhe një inskenim nga i njëjti prokuror special amerikan Jack Smith, që hetoi edhe presidentin amerikan Donald Trump. Madje theksoi se këto akuza dhe arrestime u bënë pikërisht kur ish-presidenti Hashim Thaçi po fluturonte në SHBA për të firmosur marrëveshjen me Serbinë, e cila do njihte Kosovën.

“Burgosja e Thaçit dhe të tjerëve ishte fabrikim politik nga Jack Smith, i njëjti prokuror special që hetoi dhe ngriti akuza ndaj presidentit Donald Trump. Dhe kjo ndodhi pikërisht kur Thaçi u ngrit me avion për në SHBA, në Shtëpinë e Bardhë, ku Serbia do bënte njohjen reciproke të Kosovës dhe do hidhte firmën. U bë inskenim ndaj tyre.

Akuzat ndaj Thaçit dhe Trump u bënë nga i njëjti prokuror special. Kosova ka të burgosur politik, Shqipëria ka të burgosur politik, por i ka ordinerë. Masa e sigurimit të arrestit dhe marrja e provave është e padrejtë, e paligjshme”, tha Spahiu në një intervistë në Report Tv.

Ai bën thirrje për një protestë të njëkohshme dhe një mesazh të fortë ndaj Hagës, që procesi të jetë i drejtë, duke sugjeruar tubime të unifikuara nga faktori shqiptar.

“Kjo protestë ishte e vonuar dhe nëpërmjet jush i bëj thirrje të gjithëve për protestë në Hagë dhe Tiranë, Shqipëria dhe Kosova, faktori shqiptar në Maqedoni, që të protestojnë. Të ketë protestë edhe në Hagë, të unifikohen në qëndrim. Të kërkohet drejtësi e vërtetë, të bëhet prresion për një gjykim me fakte dhe prova”, theksoi juristi.

1 Komente

  1. A
    Asd

    Pse propozon idiotesira o jurist!? Ceshtjet juridike zgjidhen ne sallen e gjyqit me prova dhe fakte jo me protesta me Shqiperi e Kosove bashke. Po ju nga Gjermania do ngriheni edhe ju mo!?

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje