
Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, në vijim të vizitës së tij zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, zhvilloi një takim të rëndësishëm në Departamentin Amerikan të Shtetit me Michael Rigas, Zëvendësin e Sekretarit Amerikan të Shtetit, Marco Rubio.
Gjatë takimit u theksua partneriteti strategjik mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, i ndërtuar mbi vlera të përbashkëta demokratike dhe bashkëpunimin e ngushtë, që i shërben të ardhmes dhe prosperitetit të të dy vendeve.
Kryetari i Kuvendit rikonfirmoi se SHBA mbetet partneri kryesor strategjik i Shqipërisë dhe shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme amerikane në rrugëtimin euroatlantik dhe reformat e brendshme të vendit, duke nënvizuar rolin e Kuvendit si institucion kyç në avancimin e këtyre reformave.
Në fokus të bisedës ishte bashkëpunimi në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes, forcimi i shtetit të së drejtës, si edhe përpjekjet e përbashkëta për të adresuar fenomenet e krimit të organizuar në rajon. Po ashtu, u diskutua zgjerimi i marrëdhënieve ekonomike e tregtare dhe rritja e investimeve amerikane në sektorë strategjikë në Shqipëri.
U vlerësua gjithashtu roli i Shqipërisë si aleate e besueshme në NATO dhe angazhimi i saj për të kontribuar në sigurinë rajonale dhe globale, përfshirë gatishmërinë për të përmbushur objektivat e reja të Aleancës drejt rritjes së shpenzimeve në mbrojtje, si edhe angazhimi maksimal për mikpritjen e Samitit të NATO-s.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua projekteve strategjike të konektivitetit dhe sigurisë në rajon, përfshirë zhvillimin e Porto Romanos dhe rëndësinë e Korridorit 8, si një bosht i ri europian që lidh Adriatikun me Detin e Zi, duke shërbyer jo vetëm si projekt i zhvillimit ekonomik, por edhe si korridor i sigurisë, stabilitetit dhe integrimit euroatlantik.
Kryetari Peleshi dhe Zëvendëssekretari Rigas diskutuan gjithashtu zhvillimet në Ballkanin Perëndimor, me fokus të veçantë tek Kosova dhe roli i shqiptarëve si faktor i rëndësishëm për stabilitetin, integrimin dhe paqen në rajon, si edhe rolin e Shteteve të Bashkuara si garant i paqes dhe integrimit euroatlantik të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Takimi u vlerësua si një moment domethënës për diplomacinë parlamentare shqiptare dhe një hap i rëndësishëm në thellimin e partneritetit strategjik Shqipëri-SHBA, duke forcuar më tej rolin e Kuvendit si nxitës dhe mbështetës i bashkëpunimit mes dy vendeve.
Fruitful conversation with @nikopeleshi on building a stronger and more prosperous future for the United States and Albania. We will continue our work with Albania on regional and global stability, strengthening NATO, dismantling transnational criminal organizations, and… pic.twitter.com/T68wJx34b4
— Michael J. Rigas (@DepSecStateMR) February 5, 2026
Lini një Përgjigje