Liria e Arben Ahmetajt në “duart” e partisë, socialistët vendosin të martën

10 Korrik 2023, 19:50Politika TEMA

Liria e Arben Ahmetajt në “duart” e partisë,

Të martën, Kuvendi i Shqipërisë do të vendosë për lirinë e Arben Ahmetajt. Me urdhër të kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla, Këshilli i Mandateve do të shqyrtojë kërkesën e SPAK-ut për arrestimin e deputetit socialist.

Për mbledhjen me dyer të mbyllura është njoftuar edhe ish-numri dy i qeverisë për të marrë pjesë në këtë proces parlamentar. 

Pasi socialistët dhe demokratët të njihen me dosjen hetimore të vënë në dispozicion nga Prokuroria e Posaçme, ata do të marrin vendimin për fatin e Arben Ahmetaj. 

Këshilli i Mandateve, sipas rregullores së Kuvendit, brenda dy javëve duhet të hartojë një raport për t’ia përcjellë seancës plenare, e cila merr vendimin përfundimtar.

Arben Ahmetaj nuk është rasti i parë brenda radhëve të socialistëve i cili do të përballet me dilemat politike dhe verdiktin e drejtësisë. 

Këtë rrugë parlamentare dhe gjyqësore e ka kaluar ish-ministri i Brendshëm, njeriu i besuar i Ramës, Saimir Tahiri, i cili pretendonte se kishte mbështetjen e kolegëve të selisë rozë. 

Besim që iu thye kur Tahiri u prangos për të vuajtur dënimin. Pasi kryeministri vendosi precedentin që përgjegjësia është personale, ish-ministri Lefter Koka, i gjendur përballë akuzave për incineratorët, hoqi dorë nga marrja e mandatit të deputetit.

Të njëjtin skenar ndoqi edhe Alqi Bllako, që pas shumë negociatash, pak minuta para se të mblidhej Këshilli, dorëzoi mandatin në Kuvend.

Arben Ahmetaj ka qenë njeriu i besuar i Edi Ramës, duke i shërbyer në kabinetin qeveritar si ministër i Zhvillimit Ekonomik, më pas i Financave dhe në fund si njeriu që drejtoi procesin e Rindërtimit. 

Përveç administrimit të buxhetit të shtetit, ai mbajti edhe postin e zv.kryeministrit, duke firmosur çdo vendim apo projektligj të ekzekutivit në mungesë të kryeministrit.

Në korrik 2022, Edi Rama e shkarkoi nga numri dy i qverisë, duke e zhveshur edhe nga postet partiake, pasi nuk e la më as si drejtues politik për Vlorën. 

Përplasjet mes tyre u evidentuan publikisht, pasi në një emision televiziv Ahmetaj i kërkoi shefit të tij që të mos bënte gjykatësin, por punën e kryeministrit. Edi Rama iu përgjigj nga oborri i Partisë Socialiste.

Lini një Përgjigje