
Ministri i Drejtësisë në Republikën e Shqipërisë, Ulsi Manja, ka komentuar vendimin e gjykatës së Strasburgut për 21 janarin – ku katër persona mbetën të vrarë me urdhër të shteti.
Manja tha se tashmë me atë vendim të Strasburgut, 21 janari është një kapitull i hapur dhe se autoritetet shqiptare duhet të kenë një përgjigje të qartë.
Ai theksoi se vendimi i Strasburgut dhe pse i vonuar pas 12 vitesh është një vendim i mire dhe se konfirmoi qëndrimet socialiste me 21 janarin.
“Autoritetet kanë detyrimin për të respektuar vendimin e Strasburgut. 21 janari kapitull i hapur, duhet të ketë përgjigje të qartë të autoriteteve shqiptare”.
Gjykata ka dalë në përfundimin se ka dy shkelje themelore në këtë çështje.
E para është vrasja dhe më pas moszbardhja e vrasjes. Pra shteti e ka vrarë dhe nuk e ka zbardhur ngjarjen.
“Çështja ka të bëjë me pretendimet për një shkelje procedurale të nenit 2 të Konventës në lidhje me vdekjen e të afërmit të kërkuesve, A.N., nga një plagë vdekjeprurëse me armë zjarri në kokë që ai mori nga agjentë të shtetit në një protestë më 21 janar 2011”.
Gjykata e Strasburgut tha se pati moskryerje të një hetimi efektiv nga autoritetet, që mund të çonte në identifikimin dhe ndëshkimin e përgjegjësve për ngjarjet dhe zbulimin e së vërtetës.
Për Strasburgun pati mangësi të përgjithshme në fazat e hershme të hetimit.
“Mbrojtja e zyrës së Kryeministrit, në rrethanat, jo në vetvete baza legjitime për përdorimin e forcës vdekjeprurëse. Neni 2 nuk lejon përdorimin e forcës vdekjeprurëse për mbrojtjen e pronës si të tillë”.
Aleks Nika mbeti i vrarë në protestën e 21 janarit 2011 në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, bashkë me tre protestues të tjerë.
Familjarët e tij dërguan padi në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Më 21 janar 2011, qytetarë të thirrur nga Partia Socialiste protestuan para Kryeministrisë.
Protesta po zhvillohej kundër korrupsionit, pas skandalit me videon Meta-Prifti ku flitej për një koncesion.
Asokohe, Garda e Republikës, nën komandën e ish-komandantit Ndrea Prendi, ish-ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha, dhe ish-kryeministrit Sali Berisha, hapi zjarr ndaj protestuesve, duke vrarë katër njerëz dhe plagosur gjashtë të tjerë.
Gjykata, më herët vlerësoi se vrasjet e Ziver Veizit, Faik Myrtajt dhe Hekuran Dedajt kanë ndodhur nga pakujdesia dhe për këto dënoi ish-komandantin e Gardës, Ndrea Prendi me një vit burg, si dhe gardistin Agim Llupo me tre vite.
Familja e Aleks Nikës, më herët njoftoi se, ka dërguar çështjen në Strasburg, me shpresën se Gjykata Evropiane do të japë drejtësi.
Ka qenë policia e Tiranës, e cila më 21 janar 2021, në 10-vjetorin e ngjarjes, ka kërkuar rihapjen e hetimeve për çështjen e “21 janarit”.
Kjo nëpërmjet një letër-kërkese drejtuar Prokurorisë.
Në letër u kërkua ri-ekspertim hetimor për caktimin e drejtimit të qitjes gjatë vrasjes së Hekuran Dedës dhe Aleks Nikës, si dhe plagosjen e Fatos Mahmutajt, Sokrat Godes, Erald Boshas, Artes Dybelit, Ilia Qeskos dhe Ilia Papas.
Gjithashtu, aty shkruhet se duhet ri-ekspertim i plumbit të gjetur në trupin e Aleks Nikës dhe të ripyeten personat që kanë dijeni kryesisht ish-efektivë dhe efektivë të gardës që ishin në shërbim më 21 janar.
Lini një Përgjigje