Përplasjet në Kuvend, gazetari: Opozita i shfrytëzon seancat për show! Nuk pres gjë të re nga protesta e PD, përveç molotovëve

17 Prill 2026, 11:30Politika TEMA
Përplasjet në Kuvend, gazetari: Opozita i shfrytëzon seancat

Gazetari Ardit Rada mendon se seancat plenare të Kuvendit opozita i shfrytëzon për të dhënë show. Ai thotë se opozita i shpërdoron me interpelanca boshe, ndërkohë që nga protesta e sotme nuk pret ndonjë gjë përveç molotovëve.

“Unë kam një këndvështrim ndryshe nga jeta parlamentare në Shqipëri. Seancat plenare shfrytëzohen nga opozita për të dhuruar show, për të prodhuar disa replika që në thelb janë boshe, e shpërdorojnë mundësinë që u jep seanca. Nuk mund të thërrasësh kryeministrin në intepelancë për Porto Romano. Nuk mund të thërrasësh 4 interpelanca për të njëjtën çështje ose çështje të ngjashme”, tha Ardit Rada.

Ai komentoi edhe rolin e Diasporës në vend, ku theksoi se këta të fundit nuk duhen ndarë sa i përket çështjes politike në vend.

“PS në zgjedhjet e fundit i dha të drejtë të votonte diasporës për herë të parë. Diaspora nuk duhet ndarë përsa i përket politikës. Diaspora ka marrë shumë gjatë kësaj qeverisje, përfshirë atë të paketës së pensioneve me vende si Greqia apo Italia”, tha Rada.

Sa i përket protestës së sotme të opozitës, Rada nënvizoi se nuk pret ndonjë gjë të re përveç panoramës që kanë parë në protestat e mëparshme.

“Përveç asaj panoramës që kemi parë më parë, molotovë, xhirot në qytet, nuk pres ndonjë impakt. Opozita i ka zhvlerësuar protestat. Këto protesta më shumë bëhen për të dëmtuar imazhin e Shqipërisë. Këtë e ka pranuar edhe vetë Sali Berisha që e ka cilësuar vendin si narkoshtet dhe vend bandave”, theksoi ai.

Lini një Përgjigje