Pse politika e ka kthyer Parlamentin në një mejhane batutash?

19 Shkurt 2026, 19:30Politika TEMA

Pse politika e ka kthyer Parlamentin në një mejhane batutash?

Nga Nju Jorku Marko Caka

Nuk i komentoj zakonisht deklaratat e politikanëve, sepse prej vitesh nuk prodhojnë më as shpresë, as besim, as iluzion ndryshimi. Janë fjali të fabrikuara në laboratorë propagande, të ngritura mbi premtime boshe dhe një varfëri të thellë mendimi. Megjithatë, ka momente kur heshtja kthehet në bashkëfajësi. Një replikë e një deputeteje socialiste me kundërshtarin e saj politik, Gaz Bardhi, e dëgjuar nga salla e parlamentit, e bën të qartë se debati politik në Shqipëri ka rrëshqitur në  nivelin më të ulët, deri në batuta për “kokteje xhini e qofte”. Në atë çast, nuk po dëgjon më politikë, por një karikaturë të saj.

Kjo nuk është thjesht rënie niveli, por është kolaps institucional. Kuvendi i Shqipërisë, i menduar si foltorja më serioze e vendit, ku përplasen ide dhe miratohen ligje, është shndërruar në një arenë talljeje publike. Deputetët nuk flasin më si ligjvënës, por si protagonistë memesh, të etur për vëmendje, jo për përgjegjësi.

Këtu nuk kemi më krizë debati, por krizë përfaqësimi. Politika nuk synon më të bindë me argument, por të poshtërojë me banalitet. Dhe kur gjuha e kuvendit i ngjan gjuhës së komenteve anonime në rrjete sociale, shteti humbet gravitetin e vet moral.

Shprehja “populli zgjedh brumin e vet” nuk është më proverbë folklorike, por  është aktakuzë. Sepse kur vota udhëhiqet nga besnikëria partiake, klientelizmi apo fuqia financiare e fushatës, parlamenti mbushet me figura që nuk kanë as formim, as etikë, as vetëdije për peshën e fjalës publike.

Etika, që dikur ishte minimumi i kërkuar edhe në kuvendet e pleqve, sot shihet si pengesë. Dikur thuhej: “mos e lësho fjalën, se nuk e mban as toka”. Sot fjala hidhet si gur në rrugë, pa peshë dhe pa përgjegjësi.

 Çdo qark ka “Zeqinenë” e vet, jo si përjashtim, por si produkt të sistemit.

Problemi real është mekanizmi i përzgjedhjes së kandidatëve. Partitë nuk kërkojnë më njerëz me integritet dhe autoritet moral, por njerëz të bindur, të kontrollueshëm dhe financiarisht të dobishëm dhe nëse ke influencë në rrjetetsociale. Lista nuk ndërtohet mbi vlera, por mbi shërbime. Dhe kur kriteri kryesor për t’u bërë deputet është buxheti i fushatës, atëherë Kuvendi kthehet në treg, jo në institucion.

Kjo mungesë etike bëhet edhe më e dukshme në momentet e krizës morale. Para disa vitesh, ish-deputetja socialiste Luiza Xhuvani dha dorëheqjen pasi djali i saj u përfshi në një ngjarje kriminale të rëndë. Ajo nuk kishte asnjë përgjegjësi ligjore për veprimin e tij, por e kuptoi se politika nuk është vetëm çështje ligji, por është edhe çështje dinjiteti moral. Dorëheqja e saj nuk ishte akt dobësie, por akt ndërgjegjeje.

Në kontrast të plotë me këtë standard, sot shohim raste kur familjarë të deputetëve përfshihen në afera kriminale, përfshirë arrestime për trafik droge në Itali, dhe politika sillet sikur asgjë nuk ka ndodhur. Ligji, me të drejtë, nuk i ngarkon deputetët me faj penal për veprimet e të afërmve. Por mungesa totale e reflektimit moral dërgon një mesazh të rrezikshëm, se pushteti është imun ndaj çdo lloj përgjegjësie etike.

Morali në politikën shqiptare ka humbur gjatë rrugës. Dorëheqja shihet si turp, ndërsa kapja pas karriges si sukses. Deputetët flasin sikur nuk përfaqësojnë askënd, sikur fjala e tyre nuk prodhon asnjë pasojë dhe sikur nesër nuk do të japin llogari për asgjë. Kjo sepse nuk ka kush t’i ndëshkojë,  aq më pak elektorati i tyre, i cili, në vend që të reagojë me votë, zgjedh heshtjen, duke u shndërruar në një trup të palëvizshëm, një mumje politike që vetëm vështron, por nuk gjykon.

Sot politika shqiptare nuk flet më për reforma, institucione apo vizion shtetëror. Flet për pije, për ushqime, për batuta. Deputetët sillen si influencerë të një kazani virtual, duke menduar se klikimi zëvendëson ligjin dhe tallja zëvendëson argumentin. Por shteti nuk ndërtohet me meme.

Kjo është fyerje për qytetarët, për akademikët, për profesionistët dhe për të rinjtë që kërkojnë arsye për të mos ikur. Kur politika bie në këtë nivel, shoqëria humbet besimin, atëherë bashkë me të humbet edhe e ardhmja.

5 Komente

  1. M
    Marko Servili..

    O zoti Marko...Ste vjen rende kur permend Zengjinene..e me te ncjer konkluzione per kuvendin e politiken..Ku ke qene ti zotri ku miku tent Sali Berisha me shoke kane aritur sa te perdorin fjale kaqe te ulta me rob shtepie.Pra vere theksin te ija..

    Përgjigjjuni
    1. K
      Kuptoni themelet

      Edhe ti je produkt i sistemit o caka, me te gjitha caqet e tua qe lexohen bteween the lines

      Përgjigjjuni
      1. u
        uskania

        Mark Mark Marku!E dëgjove atë p…çfar tha për deputetët e Fierit?!Zegjineja u tregua me kulturë, sepse meritonte më tepër Gaztori, që ishte dhe frymëzues i vrasjes së një mjeku në Elbasan.

        Përgjigjjuni
        1. A
          Agron Gjekmarkaj, dora vete

          O Marko Caka qe na shkruan brockulla nga NY, mos kujton se ta larteson gje emrin te fjeturit ne NY? Nese jo, be ndonje pune atje ku je e habuke te rritesh. Nese po, atehere ti rrosh Sali nongrates se ne popullit ne Tirane nuk na duhesh! Dhe, po ta ra rruga ndonjehere nga Shqiperia, thuaj Mero Bazes se ta organizojme ne nje kakim me Saliun qe te dalesh edhe ne TV.

          Përgjigjjuni
          1. P
            Populli

            Pse politika e ka kthyer Parlamentin në një mejhane batutash? Sepse ka shkrime struci si ky.

            Përgjigjjuni

            Lini një Përgjigje