Qeveria krijon Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut, ja çfarë do të kontrollojë

26 Qershor 2026, 22:30Politika TEMA
Qeveria krijon Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut, ja

Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për krijimin, organizimin dhe funksionimin e Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), institucioni i ri publik që do të jetë përgjegjës për mbikëqyrjen e tregut të produkteve joushqimore dhe garantimin e sigurisë së tyre për konsumatorët.

Sipas vendimit, IQMT do të funksionojë si institucion qendror buxhetor në varësi të ministrit përgjegjës për tregtinë, me seli në Tiranë. Institucioni do të financohet nga buxheti i shtetit dhe do të ketë si mision monitorimin e produkteve të hedhura në treg, për të garantuar përputhshmërinë e tyre me standardet ligjore të sigurisë.

Përveç mbikëqyrjes së tregut, Inspektorati do të jetë përgjegjës edhe për kontrollin e zbatimit të legjislacionit në fushën e mbrojtjes së konsumatorit, pronësisë industriale, të drejtave të autorit, metrologjisë, kontrollit të detergjentëve të vendosur në treg, etj.

Vendimi përcakton se IQMT do të organizohet si drejtori e përgjithshme me juridiksion në të gjithë territorin e vendit dhe do të drejtohet nga një kryeinspektor qendror, i cili do të emërohet nga Kryeministri me propozim të ministrit përgjegjës për tregtinë.

Një tjetër element i rëndësishëm i vendimit është riorganizimi i Inspektoratit Shtetëror të Mbikëqyrjes së Tregut në Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut. Procedurat e riorganizimit do të përfundojnë brenda gjashtë muajve nga hyrja në fuqi e vendimit, ndërsa gjatë kësaj periudhe institucioni ekzistues do të vazhdojë funksionimin sipas strukturës aktuale.

Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi shfuqizohet vendimi nr. 36, datë 20 janar 2016, "Për krijimin, organizimin dhe funksionimin e Inspektoratit Shtetëror të Mbikëqyrjes së Tregut", i ndryshuar.

Për zbatimin e vendimit janë ngarkuar Inspektorati i Përgjithshëm, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Departamenti i Administratës Publike dhe vetë Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut. Vendimi do të hyjë në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.

1 Komente

  1. D
    Dire Straits !!!!

    Me siguri do te gjurmoje fshataret qe shesin sallate ne rruge...dhe do ti gjobite dhe konfiskoje mallin !!!!!............ejjjjj , i thone shtet i bojaxhiut ketu , mos kemi llafe tani e tutje !!!!!

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje