Rama: Bufi e di nga i erdhi "non grata" por s'e tregon! Ore vërtet mendon se blihet Amerika me lekë?

6 Maj 2025, 09:00Politika TEMA
Rama: Bufi e di nga i erdhi "non grata" por s'e tregon! Ore

Kryeministri Edi Rama, ka qenë i ftuar në emisionin Të Paekspozuarit në MCN TV, ku ka folur për lobimin e Partisë Demokratike në SHBA dhe shpalljen non-grata të Berishës.

Rama tha se teoritë që ai ka ndikuar me Soros për shpalljen non-grata të kreut të opozitës, janë “budallallëqe”.

Ai shtoi se “Amerika nuk blihet”, ndërkohë që shprehu habi për shumën e përdorur nga PD për lobimin në SHBA.

"Ata nuk kanë mundur ta ndikojnë Amerikën në asnjë mënyrë. Ku blihet Amerika me lekë? Ti merr lekët dhe të këput dhe kokën.

Historira pastaj budallallëqe, Soros, McGonigal, janë budallallëqe, nuk funksionon kështu. Bufi e di shumë mirë nga i ka ardhur, është i qartë në gjithçka. Nuk e tregon dot ai nga i ka ardhur.

Do të thotë se i meriton ato për të cilat i kanë vënë damkën si familje? Pjesa tjetër, pse nuk u hoq non-grata? Se kanë kaluar 6 muaj. Pse nuk u hoq?

Aq më tepër nëse do ta kishte vënë Soros, që është djalli për pjesën tjetër, pse nuk u hoq kjo? Atij shefit të kabinetit të Orbanit, ia hoqën. Po LaCivita çfarë është? Një konsulent që punon për kë i ofron paratë.

Këtu është një shumë marramendëse, 6 mln dollarë. Lulit për 500 mijë euro, që prapë janë shumë, iu bë gjithë ajo gurgule dhe bufi i bëri gjyqin Lulit për 500 mijë. Tani 6 milionë, çfarë do të thotë? Kjo kontratë do të jetë një bumerang i madh edhe në SHBA."-tha Rama.

 

Lini një Përgjigje