Pas dhjetë vitesh nga reforma e fundit territoriale, Shqipëria po hyn në një fazë të re rishikimi të organizimit vendor. Në një intervistë për TemA, drejtuesi i mazhorancës në komisionin për reformën teritoriale, Arbjan Mazniku, argumenton se ndryshimet nuk synojnë thjesht hartën administrative, por mbi të gjitha funksionalitetin e shërbimeve për qytetarët. Sipas tij, problemi kryesor sot nuk është numri i bashkive, por kapaciteti real i tyre për të ushtruar funksionet që ligji u ngarkon. “janë të shumta bashkitë, kryesisht ato të vogla, që nuk ofrojnë dot gjysmën e shërbimeve”, thekson ai, duke nënvizuar mungesën e burimeve financiare, stafit të specializuar dhe varësinë e theksuar nga qeveria qendrore, sidomos në njësitë e vogla vendore.
Mazniku thotë se reforma e re nuk përjashton ndryshime në kufijtë administrative, zvogëlim apo zmadhim njësish, por ideja kryesore është bashkëpunimi mes tyre për shërbime që sot nuk arrijnë t’i ofrojnë të vetme. Mazniku sjell si shembull mundësinë që katër apo pesë bashki të bashkojnë kapacitetet për një shërbim të caktuar, duke krijuar struktura funksionale që i përgjigjen nevojave reale të komuniteteve.
“Nuk do të jenë numrat prioritet, por shërbimet për qytetarët”, shprehet ai, duke e vendosur theksin te eficienca dhe jo te rishpërndarja formale e territorit. Një nga sfidat kryesore ishte deri tani, përfshirja e opozitës në proces. Mazniku pranon se mungesa e saj në disa mbledhje të komisionit e ka vështirësuar ritmin e punës, por beson se zhvillimet e fundit premtojnë consensus deri në mbyllje të këtij procesi. Ai thekson se opozitës i janë dhënë hapësira përfaqësimi “disproporcionale me votat që ka”, si dhe e drejta për bashkëdrejtim të komisionit, pikërisht për të ndërtuar besim dhe për ta bërë reformën gjithëpërfshirëse. Synimi është që ndryshimet të mos kenë jetëgjatësi vetëm një mandat politik, por të funksionojnë për 30–40 vitet e ardhshme.
Dimensioni elektoral është i pashmangshëm në çdo reformë territoriale, thotë Mazniku, por thekson se ai nuk duhet të dominojë vendimmarrjen. Qëllimi, sipas tij, është krijimi i një strukture të qëndrueshme që garanton qeverisje vendore cilësore dhe i reziston kohës. Në këtë proces hyjnë edhe elementë të ndjeshëm si historia, trashëgimia dhe krahinizmi, faktorë emocionalë që shpesh ndikojnë në reagimin e komuniteteve ndaj ndryshimeve administrative.
Nga komunikimet e deritanishme me të zgjehdur vendor në funsksion të reformës, Mazniku thotë se reagimi më i shpeshtë nga përfaqësuesit vendorë ka qenë: “Mos e shkrini bashkinë tonë”.
Mazniku sqaron se puna e komisionit po zhvillohet në tre nivele diskutimi, duke filluar nga organizimi territorial dhe më pas te kompetencat dhe financat vendore. Afati i synuar është që deri në korrik 2026 të mbyllet faza territoriale, ndërsa në vjeshtë të trajtohen çështjet e financimit dhe delegimit të funksioneve. Qëllimi final është që reforma të jetë gati për t’u reflektuar në zgjedhjet vendore të vitit 2027. Riorganizimi territorial lidhet edhe me objektivat e integrimit në Bashkimi Evropian. Sipas Maznikut, zhvillimi i territorit në standarde funksionale është njëkohësisht avantazh dhe detyrim në procesin e anëtarësimit, pasi kërkon një qeverisje vendore më të fortë, më të koordinuar dhe financiarisht më të qëndrueshme.