Po zhvillohet aktualisht seanca në Gjykatë Kushtetuese, ku po shqyrtohet ankimimi i deputetëve të PD-së për ngritjen e komisioneve hetimore në lidhje me çështjen “McGonigal” dhe zgjedhjet e përgjithshme të mbajtura më 11 maj.
Në kërkesën e tyre, deputetët kërkojnë që Kushtetuesja të përcaktojë detyrimin e Kuvendit për ngritjen e një komisioni hetimor për verifikimin e ligjshmërisë së veprimeve të zyrtarëve shqiptarë në raport me ish-agjentin special të FBI-së, Charles McGonigal.
Paralelisht, deputetët kanë kërkuar edhe ngritjen e një komisioni të dytë hetimor, me objekt kontrollin e ligjshmërisë së veprimtarisë së organeve të pushtetit qendror dhe vendor, si dhe verifikimin e përdorimit të burimeve të administratës shtetërore për qëllime elektorale në zgjedhjet e 11 majit 2025.
Në fjalën e tij, kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi ngriti shqetësimin lidhur me mospranimin e interpelancave me kryeministrin. Ai theksoi se nuk u lejohet që të ushtrojnë të drejtat dhe për këtë, u janë arsye nga më të ndryshmet.
“Nuk na pranohet asnjë kërkesë për interpelancë, asnjë kërkesë për marrje informacioni. Ky gjykim sot në Gjykatën Kushtetuese ka të bëjë me faktin ne jemi në Republikë Parlamentare që funksionon sipas Kushtetutës apo një Republikë me vullnet të një partie… Përgjigjen tuaj nuk e dimë. Në çdo hallkë të këtij procesi na është dhënë nga një arsye e ndryshme. Komisioni i Përhershëm dhe i Posacëm parlamentar janë organe ndihmëse të Kuvendit, ndërkohë që funksioni i një Komisioni Hetimor ka të bëjë me kontrollin ndaj ekzekutivit, nuk mundet që përmes mekanizmave. Përgjegjësia ligjore administrative apo penale është kompetencë e institucioneve përkatëse që kryhen nga ligji”, tha ai.
Lini një Përgjigje