Nga Vitjon Nina
Zgjedhjet e 11 majit duket se presin vetëm vulosjen përfundimtare me zyrtarizimin e rezultatit dhe më tej certifikimin e tij, për të shpallur edhe përbërjen e re të Parlamentit.
Duke parë situatën, gjasat më të mëdha janë ato që Partia Socialiste të shpallet fituese me 83 mandate në rang Kombëtar.
Si parti e dytë, do të rezultojë koalicioni Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore, me 50 mandate.
Socialdemokratët e Tom Doshit projektohet të marrin 3 mandate, Mundësia e Agron Shehajt 2 të tillë, e më tej me nga një 1 mandat, Nisma Shqipëria Bëhet dhe Lëvizja Bashkë.
Teknikisht, kështu do të duket përbërja e Parlamentit, në bazë të rezultateve të 11 majit, por është sistemi, ai që realisht i ka “fryrë” partitë e mëdha dhe ka “shfryrë” ato të vogla.
Sistemi në Shqipëri është ai proporcional rajonal dhe është një purgator i vërtetë për partitë më të vogla në vend, të cilat rrokin vota, shpresojnë shumë për mandate, por në fund zhgënjehen me pak ulëse, ose me asnjë të tillë.
E gjitha ndodh për shkak se sistemi kërkon përqendrim votash brenda një qarku për të gjeneruar mandat dhe vota masive, por e shpërndarë, është shterpë dhe në fakt, ndihmon më të fortët.
Për këtë arsye, Albanian Post ka bërë një përllogaritje të përafërt lidhur me rezultatin dhe se si me një sistem të drejtë, si ai proporcional rajonal, me një zonë të vetme zgjedhore, do t’i jepte atyre shumë më shumë mandate dhe do të krijonte një shpërndarje më të drejtë të mandateve.
Të paktën 13 mandate përafërsisht i janë “hequr” partive të vogla për shkak të sistemit.
Sipas një përllogaritjeje të bërë nga Albanian Post, Nisma Shqipëria Bëhet, është forca politike më e ndëshkuar në këto zgjedhje.
Me thuajse 60 mijë vota të numëruara deri tani dhe me një projeksion që i çon edhe deri në 70 mijë vota, ata marrin vetëm 1 mandat në rang kombëtar, atë të Tiranës, për shkak të sistemit.
Në të kundërt, me një sistem të drejtë proporcional kombëtar, SHB-ja do të duhej të merrte të paktën 6 mandate në rang kombëtar.
Partia Socialdemokrate, arrin ta rrokë të mirën e sistemit aktual, për shkak të përqendrimit të votës që ka në qarkun e Shkodrës. Megjithatë, me thuajse 50 mijë vota të marra deri tani dhe me një projeksion në rreth 55 mijë vota, ata do të duhej të merrnin edhe 2 mandate të tjerë minimalisht në rang kombëtar, me një sistem më të drejtë.
Njëjtë edhe Mundësia, e cila merr vetëm 2 mandate për shkak të përqendrimit të votës në Tiranë, por me një sistem të drejtë, do të merrte të paktën 5 mandate, me vota të ngjashme me PSD-në.
Lëvizja Bashkë gjithashtu mbetet e penalizuar prej sistemit, edhe pse më pak, ku në vend që të merrnin 1 mandat të vetëm në Tiranë, të majtët do të merrnin 2 mandate në rang vendi.
Euroatlantikët e Lulzim Bashës gjithashtu janë në kuota të larta në rang kombëtar për 1-2 mandate, me vota pak më të ulëta se Lëvizja Bashkë. Mirëpo për shkak të sistemit dhe mungesës së përqendrimit të votës, ata dalin me asnjë mandat.
E kundërta ndodh me partitë e mëdha.
Është Partia Socialiste, ajo më përfituesja, e cila rritet me 10 mandate për shkak të benefiteve të sistemit.
Socialistët pritet të marrin 83 mandate, por me një sistem të drejtë, ata do të ndaleshin në 73. Do të kishin pa diskutim një shumicë komode qeverisëse, por jo aq të thellë sa e arritën.
Ndërkaq, Partia Demokratike, përtej faktit se ka rënie të theksuar, ka përfituar sërish nga sistemi, duke arritur në 50 mandate. Në kushtet e një sistemi të drejtë proporcional kombëtar, PD-ja do të merrte sipas përllogaritjeve vetëm 47 mandate.
Qysh nga 1992, ky ka qenë thelbi i bashkëpunimit PD-PS, me të përhershmin e PD Sa-leh Berisha dhe dyshen e PS Fatos Nano-Edi Rama. Sipas shprehjes vëllezër të nënës PPSH jemi, por shokë s'jemi, u ndamë ca të PD dhe ca të PS. Dhe në kuadrin e ruajtjes së monopolit të tyre qeverisës, rotacioni të bëhej brenda tyre, pra dhe pushteti. Pavarësisht se vëllai i madh formacioni PS me testament të Nënës Parti trashëgoi më shumë elektorat, ai me në krye Ramën, sidomos në 11 maj, formacionin PD me në krye monstrën me shtatë koka, e fundosi fare. Se si do dalin nga gropa ku ata kanë rënë është puna e tyre, por për shëndoshjen e demokracisë (veçanërisht pluralizmit) si domosdoshmëri do lipsej ndryshimi i Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor. Në realitetin e ri (maxhorancë shumë e fortë, opozitë tepër e dobët), momentalisht pak e mundshme të ndodhë kjo. Sidoqoftë, mund të ndodhë nëse ashtu si sipër reformën në drejtësi, kur nën presionin Uashington-Bruksel në 21 korrik 2016, edhe pse nuk e dëshironin, duke shtrënguar dhëmbët atë e votuan me unanimitet të 140 deputetët. Në politikë nuk ka të pamundshme, por për të thuhet se 'ajo vërtetohet atëhere kur ndodh', që siç e thotë populli, "kur t'i vijë veza". Në kuadrin e negociatave për pranimin në BE, mbetet të urojmë dhe shpresojmë: "Do zoti të mëdhenjtë e kanë në axhendën e tyre dhe këtë nevojë shqiptare, pra konsolidimin e demokracisë në Shqipëri dhe kështu për t'i dhënë fund tranzicionit të lodhshëm post komunist!".