"Sikleti" i Punëve të Brendshme

10 Korrik 2023, 21:00Politika TEMA

"Sikleti" i Punëve të Brendshme

Nga Klevis Hoxhaj

Nëse do t’i referoheshim modelit institucional, atëherë me bindje mund të themi se Ministria e Brendshme siç njihet në ditët tona është nga dikasteret që është rimodeluar më shpesh përgjatë historisë së shtetit shqiptar për shkak të rëndësisë që mbart.

E njëjta gjë nuk mund të thuhet për jetë-shkurtësinë e mandateve të drejtuesve të një institucioni që ka pasur në krye të saj figura nga më të shquarat e deri te më të përfolurit për tradhti në kohën e diktaturës apo për lidhjet me krimin pas rënies së regjimit.

Këtë detyrë e kanë mbajtur figura që kanë bërë karrierë të lartë në politikë duke u bërë më pas figura qendrore ose kanë mbajtur më pas postet më të larta të shtetit si kryeministër, president e deri mbret, si Ahmet Zogu, Esat Toptani, Hasan Prishtina, Luigj Gurakuqi, Mehmet Shehu, Kadri Hazbiu, Gramoz Ruçi, Bujar Nishani, etj.

Rekordmeni i qëndrimit në detyrën e ministrit të Brendshëm është Kadri Hazbiu, i cili e mbajti këtë detyrë nga 23 korriku i vitit 1954 deri në 27 dhjetor 1979, ose 25 vjet, 5 muaj e 4 ditë.

Ndërkohë, rekordin e kohëzgjatjes më të gjatë në detyrën e ministrit të Brendshëm pas vitit 1990 është Saimir Tahiri me 3.5 vjet.

Nëse merren së bashku të dy herët që ka mbajtur këtë post, Bujar Nishani është i pari me 3.7 vjet qëndrim në këtë detyrë.

Ministri i Brendshëm më jetëshkurtër pas rrëzimit të komunizmit është Ali Kazazi, me 21 ditë. Ai qëndroi në këtë detyrë nga 4 korriku 1997 deri më 25 korrik 1997.

Gazetari Roland Qafoku zbulon se nga 64 ministra të Brendshëm rezulton se tetë prej tyre janë vrarë në rrethana të ndryshme kryesisht në atentate.

Ndërkohë tetë ministra të Brendshëm janë pushkatuar të dënuar me vdekje nga gjykatat si gjatë kohës së Mbretërisë por edhe gjatë Komunizmit, shton ai.

Sipas tij, të dhënat janë që shatë ministra të Brendshëm janë dënuar më vdekje por i kanë shpëtuar këtij dënimi duke e konvertuar me burg.

Numri më i madh i takon ministrave të Brendshëm që janë arrestuar për një akuzë apo tjetër por kryesisht për veprimtarinë e tyre gjatë kësaj detyre.

Janë 20 ministra të Brendshëm që kanë provuar prangat por 12 prej tyre janë dënuar me burg që variojnë deri në shumë vite.

Pas rrëzimit të diktaturës komuniste, nga 25 ministra të tranzicionit, shtatë prej tyre kanë dhënë dorëheqjen.

Aktualiteti

I fundit që do përfundonte në kalvarin e statistikës do të ishte ish-ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi me 2 vjet, 6 muaj dhe 3 javë në detyrë.

Jehona e ngjarjes së rëndë që ndodhi disa ditë më parë në një lokal në aksin Fushë Krujë-Thumanë, ku një grup personash dhunuan barbarisht shtetasit Bilbil Maja dhe Jashar Maja rezultoi fatale për ish-zyrtarin.

Ai do të pasohet nga Taulant Balla, i cili u dekretua zyrtarisht të hënën e 10 korrikut nga presidenti Bajram Begaj, duke u bërë i 65-ti ministër i Brendshëm në historinë e shtetit shqiptar dhe i 26-ti pas rrëzimit të diktaturës komuniste.

Balla bëhet i gjashti ministër i Brendshëm në 9 vjet e 10 muaj qeverisje të kryeministrit Edi Rama.

Mesatarisht një ministër i Brendshëm në qeverinë socialiste ka qëndruar në detyrë 1 vit e 5 muaj.

Fatmir Xhafaj qëndroi në detyrë, herën e parë, 1 muaj e 29 ditë dhe herën e dytë 1 vit, 1 muaj e 15 ditë.

Ministri teknik Dritan Demiraj qëndroi në detyrë 3 muaj e 21 ditë ndërsa Sandër Lleshi udhëhoqi këtë institucion për 2 vjet, 1 muaj e 14 ditë.

Çuçi ishte i pari ministër i Brendshëm që u shkarkua me vendim të kryeministrit, ndërsa tre ish-zyrtarët e mëparshëm kishin paraqitur dorëheqjen për shkaqe të ndryshme.

Arsyet 

Më 19 mars të vitit 2017, Tahiri do t’i paraqiste dorëheqjen e tij kryeministrit Edi Rama.

Partia Demokratike kishte kërkuar asokohe disa herë largimin e Tahirit nga ky post, pasi e akuzonte si të lidhur ngushtë me bandat kriminale e me trafikantët e drogës, mes të cilëve Emiljano Shullazin, Klemend Balilin e vëllezërit Habilaj.

Organet e atëhershme të Drejtësisë në Shqipëri u vunë në dijeni nga Prokuroria e Catania-s (Itali) që në përgjimet e saj të bisedave të trafikantëve të drogës, anëtarë të një organizate kriminale shqiptare që vepronte edhe në Itali, ishte përmendur edhe emri i ish-ministrit Tahiri. Në Tiranë, Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi arrestimin e tij.

Më 4 shkurt të vitit 2022, Saimir Tahiri u dënua me 3 vite dhe 4 muaj burg për shpërdorim detyre nga Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar në Tiranë, duke sjellë edhe ndalimin e tij dhe dërgimin në burg.

Ministri i radhës i Brendshëm që do të paraqiste dorëheqjen e tij pa specifikuar arsyet ishte Fatmir Xhafaj, më 27 tetor të vitit 2018.

“Pranova dorëheqjen e ministrit Xhafaj, të cilin e falënderoj për kontributin e çmuar. Gjeneral Sandër Lleshi do të sjellë një energji të re pozitive në krye të Punëve të Brendshme. Traseja është e shtruar. Tani duhet rritur shpejtësia dhe duhen arritur rezultate edhe më domethënëse”, shkruante Rama në Twitter.

Fatmir Xhafaj që prej 13 shtatorit 2017, mbante postin e ministrit të Brendshëm të Shqipërisë.

Pasardhësi i tij, Sandër Lleshi do të dorëhiqej më 10 dhjetor të vitit 2020 pas protestave që shkaktoi vrasja e 25-vjeçarit Klodian Rasha nga një efektiv i policisë.

Kryeministri Rama e bënte të ditur lajmin në komunikimin e tij të parë për këtë ngjarje, duke lënë të kuptohet se e ka pranuar, por duke nënvizuar se ministri Lleshi nuk kishte asnjë përgjegjësi për aktin e policit të “Shqiponjave”.

Lini një Përgjigje