Spiropali takohet në Bruksel me raporterin e Parlamentit Europian për Shqipërinë: Kuvendi, kontribut për përshpejtimin e procesit

21 Qershor 2025, 13:50Politika TEMA
Spiropali takohet në Bruksel me raporterin e Parlamentit Europian për

Gjatë qëndrimit në Bruksel, në kuadër të Samitit Parlamentar të NATO-s, Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali u takua edhe me Raporterin e Parlamentit Europian për Shqipërinë, Andreas Schieder.

Përmes një reagimi në Facebook, Spiropali shkruan se e falenderoi Raporterin Schieder për mbështetjen dhe vlerësimet për arritjet e Shqipërisë drejt anëtarësimit në familjen europiane, të shprehura edhe në Raportin e Komitetit për Marrëdhëniet me Jashtë dhe mbledhjen e fundit të Komitetit të Stabilizim-Asociimit.

Njëkohësisht, Spiropali nënvizoi kontributin e Kuvendit për përshpejtimin e procesit, garantimin e konsensusit parlamentar, legjitimitetit demokratik dhe tiparit gjithëpërfshirës të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në familjen e saj të natyrshme europiane.

''Dje pas përfundimit të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, kafe miqësore me Raporterin e Parlamentit Europian për Shqipërinë, Andreas Schieder, në Bruksel.

Faleminderit Andreas e europarlamentarëve në Komisionin e Jashtëm e në Komitetin e Stabilizim Asociimit BE-Shqipëri, për qëndrimet realiste e mbështetëse për Shqipërinë si vend pararojë mes vendeve kandidate, në rrugëtimin e përshpejtuar drejt familjes europiane!

Kuvendi po ndërvepron intensivisht me Parlamentin Europian dhe parlamentet e 27 vendeve anëtare, për të mundësuar objektivin tonë kombëtar: mbylljen e negociatave brenda 2027 dhe anëtarësimin në BE brenda kësaj dekade'', shkruan Spiropali.

Lini një Përgjigje