
Deputetët e opozitës kanë ndërtuar disa skenarë që edhe regjisorët e Hollywood-it do t’i kishin zili. Shkak për të gjitha deklaratat e tyre në daljet publike janë situata në Kosovë, “mos mbështetja e Qeverisë së Shqipërisë”, apo edhe “ndërhyrje nga palë të treta”.
Sali Berisha kërkoi të dijë pas informacionit nga qytetari digjital se pse “Vlora Hyseni drejtuesja e Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH) ka qenë në një vizitë 10-ditore në Beograd”.
Më pas fill pas tij do të dilte me një zyrtarizim të kërkesës, Flamur Noka, i cili ende e quan veten sekretar të përgjithshëm të Partisë Demokratike.
“Sekretari i Përgjithshëm i PD, njëherazi deputet dhe anëtar i Komisionit të Sigurisë Kombëtare në Parlament, Flamur Noka nëpërmjet një shkrese i ka kërkuar sqarime Presidentit Begaj në lidhje me vizitën 10 ditore të kreut të SHISH, Vlora Hyseni në Beograd”.
“Duke qenë se Shqipëria është një vend anëtar i NATO-s, vizita e Kryetares së SHISH, të një vendi anëtar tek një vend jo partner dhe jo anëtar i NATO-s, ka krijuar shqetësim madhor. Kjo për arsye se SHISH përfaqëson një institucion kryesor të Sigurisë Kombëtare”. Kështu shkruhet në deklaratën e demokratëve, të cilët nuk u ndalën këtu.
Ata kanë kërkuar që drejtuesja e SHISH-it të japë gjithashtu sqarime lidhur me pozicionin e Shqipërisë për atë që po ndodh në veri të Kosovës.
Për këtë arsye sot më 19 qershor pritet të mbahet seanca e parë dëgjimore me Hysenin në Komisionin e Sigurisë Kombëtare.
Kërkesa ishte përpiluar nga deputeti tjetër demokrat, Ferdinand Xhaferraj, por gjeti mbështetje nga të gjithë deputetët e opozitës në Komision edhe ata të fraksionit Berisha.
Me përgjigjet e Hysenit do të vijë reagimi i parë të institucionit më të lartë të sigurisë në vend për çështjen e veriut të Kosovës. Por nuk pritet që të zgjidhen pikëpyetjet e demokratëve. Ata kanë kërkuar edhe prezencën e kryeministrit Edi Rama.
Kjo për të dhënë sqarime për draftin e propozuar për Asociacionin dhe qëndrimin e qeverisë shqiptare në konfliktin tashmë të përshkallëzuar mes Kosovës e Serbisë.
Jo vetëm kaq, në fundjavë u futën në lojë edhe elemente të tjerë.
“Ministrja Olta Xhaçka do të merrte me avion tre policët e rrëmbyer të Kosovës, por Vuçiç prishi planin e Ramës”, tha Berisha, i cili mesa duket kërkon përgjigje, pasi një nga deputetët e tij kërkoi të merren armët për Kosovën.
Për të gjitha këto do të përgjigjet Hyseni, e cila sigurisht ka prioritete të tjera.
Pas sqarimit të deputetëve demokratë dhe anëtarëve të tjerë të Komisionit të Sigurisë do të kemi edhe raportimin e parë për vitin 2022 të Shërbimit Informativ Shtetëror.
Lini një Përgjigje