Tre kryebashkiakë rrezikojnë gjoba për ‘keqpërdorim të fondeve publike’ në fushatë

25 Mars 2023, 09:27Politika TEMA

Tre kryebashkiakë rrezikojnë gjoba për ‘keqpërdorim

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirian Celibashi, vendosi të premten që t’i propozojë Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve ndëshkime administrative për 3 kryetarë bashkie të Partisë Socialiste për shkelje të Kodit Zgjedhor dhe keqpërdorim të burimeve publike.

Gjobat në masën 10 mijë lekë u propozuan për Armando Subashin, kryetar i Bashkisë Fier, Nuri Belbën, kryetar në Bashkinë Prrenjas dhe Kastriot Gurrën, kryetar në Bashkinë Librazhd, pasi administrata e KQZ-së konstatoi se në aktivitetet publike të organizuara kanë marrë pjesë deputetët e zonës, të cilët kanë bërë thirrje politike.

Edhe pse në kundërshtim me dispozitat ligjore, KQZ ka konstatuar se deputetët dhe ministrat socialistë janë pjesë e aktiviteteve vendore ose përurimeve të investimeve publike, ku nuk lejohet fushata politike.

Si pasojë e denoncimeve nga organizatat e shoqërisë civile, Celibashi vendosi gjithashtu të ndalojë 6 aktivitete publike, ku merrnin pjesë ministra dhe deputetë socialistë, të planifikuara nga bashkia Kavajë, Gjirokastër, Ministria e Shëndetësisë dhe ajo e Kulturës.

Sipas akteve të Komisionerit, ato janë në shkelje për shkak të pjesëmarrjes së personave partiakë dhe në shkelje të afateve ligjore për raportim, por edhe në këtë rast parishikohej pjesëmarrje e ministrave ose të zyrtarëve politikë të Partisë Socialiste në zonë.

Në një aktivitet të bashkisë Kavajë në një takim me nxënësit ekselentë të qytetit ishin ftuar deputeti i zonës, Etjen Xhafaj dhe drejtues partiakë të PS-së.

Edhe pse bashkia e cilësonte “takim informues/ndërgjegjësues”, Komisioneri konstaton se një aktivitet që zhvillohet “me pjesëmarrjen e personave partiakë përbën veprimtari të ndaluar”.

Masat administrative pasuan një apel publik të Celibashit ndaj zyrtarëve lokalë, duke u kërkuar që t’i kryenin inagurimet e investimeve publike dhe veprimtaritë e tjera pa prezencën e politikanëve.

“Nuk ka asnjë arsye dhe është e dënueshme edhe formalisht nga pikëpamja ligjore nëse këtë aktivitet e kryejnë në shoqërinë e drejtuesve politikë, deputetëve apo funksionarëve të tjerë politikë,” tha ai pak ditë më parë.

Në KQZ ka dhjetra denoncime të tjera të kësaj natyre nga organizatat e shoqërisë civile që monitorojnë procesin, por sipas tyre, aktet e pakëta të KQZ-së nuk arrijnë të kenë impakt në parandalimin e përdorimit të burimeve publike për fushatë elektorale.

Rigels Xhemollari, drejtor ekzekutiv i “Qëndresa Qytetare”, i tha BIRN-it se nga monitorimi i bërë nga aktivistët e kësaj organizate është vënë re një intensifikim i pjesëmarrjes së deputetëve dhe emisarëve politikë në aktivitetet lokale periferike të zhvilluara nëpër bashki.

“Kjo tregon qasjen e përhershme të përdorimit politik të pushtetit në kohë fushate, por me afrimin e fushatës pritet të kemi pjesëmarrje më të lartë,” thotë ai.

Sipas tij, edhe pse KQZ ka filluar të reagojë përpara zgjedhjeve duke ndaluar organizimin e disa aktiviteteve ku merrnin pjesë deputetë, në monitorim dhe denoncimin e këtij fenomeni duhet që të përfshihen në shumë aktorë, qoftë institucione, media dhe shoqëri civile.

“Organet e pavarura qëndrojnë të distancuara nga përdorimi i administratës për qëllime zgjedhore,” shtoi Xhemollari, duke sjellë si shembull rastin e ankimimeve për aplikacionin Aktiv1st për të cilin kjo organizatë ka denoncuar në institucionet përkatëse.

Në listën e veprimtarive të ndaluara konsiderohen veprimtari politike zgjedhore;  “promovimi i investimeve me pjesëmarrjen e elektoratit e përfaqësuesve të partisë politike;  pjesëmarrja e punonjësve të administratës brenda orarit zyrtar të punës në këtë lloj veprimtarie; promovimi i projekteve të ndryshme në investime, shërbime, për të cilat fondet janë planifikuar pas datës 13 Janar dhe jashtë programit vjetor buxhetor të miratuar në fillim të vitit…”.

Mes veprimtarive që ndalohen janë gjithashtu edhe shpërndarja publike e lejeve të legalizimit dhe/ose çdo titulli pronësie në periudhën e përcaktuar në këtë kujtesë; zhvillimi i veprimtarive me karakter politik/zgjedhor në selitë dhe oborret e shkollave, në spitale e të tilla të ngjashme.

Sipas rregullores, institucionet duhet të njoftojnë për zhvillimin e veprimtarisë publike të paktën 5  ditë përpara datës së parashikuar për zhvillimin e saj.

Në aktet për ndalimin e aktiviteteve politike, argumenti ligjor lidhej edhe me raportim jashtë afatit ligjor, gjë që sipas komisionerit, kufizon mundësinë e Komisionerit për të vlerësuar nëse përbën veprimtari të ndaluar ose jo.

Të premten u vendosën gjoba në masën 5 mijë lekë edhe për 7 zyrtarë vendorë, përgjegjës për raportimin e aktiviteteve.(BIRN)

1 Komente

  1. V
    Vito mashtruesi, shoku i Orneles se Varuzhanit

    Celibash, tani e kuptoj fare mire ish gruan tende. Nuk mund te shtuhet jeta me nje idiot.

    Lini një Përgjigje