“Blerje votash, presion, keqpërdorim i ...”, Ambasada amerikane thirrje partive: Zbatoni rekomandimet e ODIHR për "14 Majin"

24 Mars 2023, 19:27Politika TEMA

“Blerje votash, presion, keqpërdorim i ...”, Ambasada amerikane

Ambasada e SHBA-ve në Tiranë i ka bërë thirrje qeverisë, partive politike dhe institucioneve shtetërore që në zgjedhjet lokale të 14 majit, të respektojnë rekomandimet e raportit të ODIHR për zgjedhjet e 2021.

Në këtë reagim, ambasada evidenton disa nga problematikat që raporti nxori në pah në zgjedhjet e 2021, mes të cilave blerje votash, presion mbi votuesit dhe keqpërdorim të burimeve shtetërore dhe të dhënave personale.

Po ashtu thuhet se edhe ambasadorja Yuri Kim iu ka kërkuar së fundmi krerëve të partive politike që fushatat dhe aktivitetet zgjedhore të zhvillohen në mënyrë të drejtë, të rregullt dhe transparente

Reagimi i Ambasadës amerikane:

Pas 50 ditësh, më 14 maj, Shqipëria do të zhvillojë zgjedhje vendore mbarëkombëtare. U bëjmë thirrje të gjitha partive politike dhe institucioneve të sigurohen që aktivitetet zgjedhore të zhvillohen në përputhje me ligjin shqiptar dhe standardet ndërkombëtare.

Pas zgjedhjeve parlamentare të prillit 2021, raporti i ODIHR-it përshkruan fushat ku është bërë përparim i vazhdueshëm, si dhe mangësitë. Në veçanti, pati raportime të besueshme për blerje votash, presion mbi votuesit dhe keqpërdorim të burimeve shtetërore dhe të dhënave personale. Shtetet e Bashkuara i bëjnë thirrje qeverisë, partive dhe institucioneve shtetërore që të zbatojnë rekomandimet e ODIHR-it.

Ashtu siç ambasadorja Kim diskutoi kohët e fundit me drejtuesit e partive, partitë politike duhet të sigurohen që fushatat dhe aktivitetet zgjedhore të zhvillohen në mënyrë të drejtë, të rregullt dhe transparente. Drejtuesit duhet të sigurohen që listat e tyre të kandidatëve të përmbushin kërkesat e ligjit, si dhe pritshmëritë e qytetarëve shqiptarë për kandidatë të pastër dhe me integritet të lartë. Strategjia e Presidentit Biden Kundër Korrupsionit identifikon kërcënimin unik që paraqet korrupsioni për demokracinë dhe sigurinë tonë kombëtare.

Shtetet e Bashkuara mbështesin me forcë kërkesën e popullit shqiptar për një demokraci të fortë. Ne nxisim të gjithë drejtuesit dhe institucionet që të vazhdojnë të përmirësojnë proceset zgjedhore të Shqipërisë dhe të sigurojnë që Shqipëria ecën përpara në rrugën e saj demokratike.

1 Komente

  1. S
    Sufllaqe bashkia TR

    Kta i komandon sorosi 90 e sa vjecar nga krevati i tij se ja fusin kot Shqipëria është zhvilluar shumë ka ecur ne drejtim të paditur nuk ka korrupsion as blerje votash të gjithë duan liderin global komandant Ika tani të marr sufllaqet per sot

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje