Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu, në një lidhje të drejtpërdrejtë me RTSH 24 ka komentuar situatën e rëndë të përmbytjeve në Qarkun e Gjirokastrës, duke e cilësuar atë si pasojë të mungesës së sistemeve mbrojtëse dhe keqpërdorimit të territorit.
Ai tha se problemet janë të akumuluara prej vitesh, të lidhura me mungesën e sistemeve mbrojtëse ndaj fenomeneve natyrore, keqpërdorimin e territorit, mungesën e fondeve dhe korrupsionin në pushtetin vendor.
“Janë probleme të akumuluara sepse lidhen me mungesën e sistemeve mbrojtëse ndaj këtyre fenomeneve natyrore. Lidhen me probleme të keqpërdorimit të territorit, me mungesën e plotë të fondeve për sigurimin e gjithë territorit, por edhe me korrupsionin në pushtetin vendor. Ajo që ka ndodhur në qarkun e Gjirokastrës do të thoja që ishte një krim i paralajmëruar. Sepse që në muajin nëntor kishte shenja për një situatë të tillë, edhe pse nuk ishte në këtë dimension që mori ditët e fundit,” u shpreh Shehu.
Deputeti demokrat kujtoi se gjatë diskutimit për projektbuxhetin në Kuvend kishte kërkuar një fond shtesë prej 20 milionë eurosh për qarkun e Gjirokastrës, 10 milion për masat mbrojtëse dhe 10 milion për kompensimin e dëmeve ndaj bizneseve dhe qytetarëve, por kërkesa nuk u miratua.
“Gjatë diskutimit për projektbuxhetin në Kuvend, kërkova 20 milionë euro fond shtesë për qarkun e Gjirokastrës, nga ku 10 milion do të përdoreshin për rregullimin e masave mbrojtëse për të shmangur këtë situatë përmbytje dhe 10 milion për të shlyer dëmet e bizneseve ndaj qytetarëve. Por kjo nuk u miratua dhe ndodhi ajo që ndodhi dy ditë më parë në Gjirokastër,” tha ai.
Shehu nënvizoi se qarku ka nevojë urgjente për fortifikimin dhe ristrukturimin e plotë të sistemeve mbrojtëse ndaj fenomeneve natyrore.
“Qyteti i Gjirokastrës, Memaliaj, Tepelena, Këlcyrë, Libohova, Dropulli kanë nevojë urgjente që të merren masa. Për të shmangur këtë situatë duhej të ishin marrë masat 3 apo 4 vite më parë. Problemi është se ka një mungesë vëmendjeje për qarkun e Gjirokastrës dhe ndodh ajo që ndodhi dy ditë më parë,” u shpreh ai.
Duke folur për situatën në terren, Shehu tha se dëmet janë më të përqendruara në Bashkinë Gjirokastër, Bashkinë Dropull dhe në Memaliaj.
“Nga situata në terren, dëmet janë më shumë të përqendruara në Bashkinë Gjirokastër, Bashkinë Dropull dhe në Memaliaj. Ndaj unë kërkova shpalljen e fatkeqësisë natyrore për dy arsye: së pari për mobilizimin e forcave për të përballuar situatën aktuale, por edhe marrjen e masave emergjente për të shmangur këtë situatë dhe të kompensojë dëmet ndaj biznesit dhe familjeve,” deklaroi deputeti demokrat.
Lini një Përgjigje