Problematika me reshjet/ Ministrja Koçiu në Durrës: Institucionet në gadishmëri të plotë, hidrovorët funksionalë për menaxhimin e situatës (VIDEO)

7 Janar 2026, 21:45Sociale TEMA
Problematika me reshjet/ Ministrja Koçiu në Durrës:

Ministrja e Punëve të Brendshme Albana Koçiu, nga Durrësi, theksoi se të gjitha strukturat janë në gadishmëri të plotë për përballimin e situatës së krijuar nga reshjet e dendura të orëve të fundit.

Gjatë inspektimit në hidrovorin e ri të bashkisë së Durrësit, ajo nënvizoi se funksionimi paralel i dy hidrovorëve, atij të ri dhe atij ekzistues, ka qenë vendimtar për të shmangur një situatë të agravuar në qytet.

“Reshjet kanë sjellë një situatë shqetësuese, por të gjitha institucionet janë në terren dhe në gatishmëri të plotë. 12 orët e ardhshme mbeten kritike dhe fokusi ynë është menaxhimi i situatës dhe garantimi i sigurisë së qytetarëve. Më pas do të vijojë procesi i vlerësimit të dëmeve, i cili ka nisur tashmë në disa zona,” u shpreh ministrja Koçiu, duke apeluar që qytetarët të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve lokale.

Kryetarja e Bashkisë Durrës, Emiriana Sako, konfirmoi se infrastruktura kritike po funksionon pa ndërprerje. Ajo bëri të ditur se hidrovori i ri, i ndërtuar me fondet e qeverisë, ka qenë në punë të plotë prej rreth 48 orësh, me të gjitha pompat aktive, ndërsa edhe hidrovori i vjetër është funksional me 6 pompa dhe kapacitete rezervë për furnizimin me energji elektrike.

“Pa funksionimin e këtyre objekteve do të ishte e pamundur menaxhimi i situatës. Ato monitorohen 24 orë nga stafet teknike dhe kanë një rëndësi jetike për qytetin në raste emergjencash,” theksoi Kryetarja Sako.

Autoritetet konfirmojnë se monitorimi vijon pa ndërprerje dhe se të gjitha strukturat e emergjencave janë në gatishmëri për të reaguar ndaj çdo zhvillimi të mëtejshëm të situatës.

3 Komente

  1. F
    Fati

    Të gjithë flasin se "Institucionet janë në gadishmëri", "monitorim", "gadishmëri" e çfardo tjetër. Pra, populli të flej i qetë në shtëpinë e mbushur me ujë, sepse qeveria është në gadishmëri dhe nuk po fle gjumë...

    Përgjigjjuni
    1. T
      Teodor

      Punesoni te after. Kanalizimet nuk perballojne ato ndertime e ate dendesi banoresh. Blini mjete . 10 vete me xhupa tani nuk bejne pune. Keshtu dhe Tirana...asnje investim madhor ne kanalizime.

      Përgjigjjuni

      Lini një Përgjigje