27 vite nga masakra që tronditi Kosovën, krimi makabër serb që la pas më shumë se 200 viktima dhe dhjetëra të zhdukur

26 Mars 2026, 15:10Rajoni TEMA

27 vite nga masakra që tronditi Kosovën, krimi makabër serb

27 vite më parë,  konkretisht më 25, 26 e 27 mars të vitit 1999, Krusha e Madhe u kthye në një skenë tmerri që edhe sot, me plot kuptimin e fjalës, të ngrin gjakun. Ajo që ndodhi në fund të marsit 1999 nuk ishte thjesht një masakër, por një operacion i organizuar deri në detaj kundër civilëve shqiptarë.

Ngjarja nisi të marrë formë më 23 mars, kur strukturat ushtarake serbe nxorën një urdhër të qartë: zona e Rahovecit dhe fshatrat përreth, përfshirë Krushën e Madhe, duhej të “pastroheshin”. Në dokument përmendeshin 50 deri në 100 luftëtarë të UÇK-së, por në terren, shënjestra u bënë civilët.

Vetëm një ditë më pas, më 24 mars, forcat serbe rrethuan plotësisht Krushën e Madhe dhe atë të Vogël. Të nesërmen filluan granatimet pa paralajmërim. Shtëpitë u goditën, u plaçkitën dhe më pas u dogjën. Në total, rreth 893 shtëpi u shkatërruan. Fshati u kthye në një zonë fantazmë brenda pak orësh.  Fshatrat më të goditur ishin Brestoc, Fortesë, Celinë, Krushë e Madhe, Retijë, Opterushë, Pastasel, Nagac dhe Hoçë e Vogël:

Banorët u përpoqën të shpëtonin si të mundnin. Disa u fshehën në bodrume, të tjerë në puse, hambarë apo nën rrënoja. Por forcat serbe i nxorën me forcë. U morën makinat, u prenë rrugët e ikjes dhe askush nuk kishte ku të shkonte.


Momenti i ndarjes që vulosi fatin

Më 25 mars ndodhi ajo që banorët e përshkruajnë si “dita e fundit”. Forcat serbe mblodhën njerëzit në grupe dhe ndanë burrat dhe djemtë nga gratë dhe fëmijët. Ishte një skenë që u përsërit në shumë zona gjatë luftës, por në Krushë mori përmasa makabre.

Gratë dhe fëmijët u detyruan të largoheshin drejt Shqipërisë, shpesh në këmbë dhe nën kërcënim armësh. Ndërsa burrat u mbajtën pas. Shumë prej tyre u futën në një magazinë dhe në oborre përreth.

Sipas dëshmive, ekzekutimi ishte i organizuar: burrat u rreshtuan dhe u qëlluan me armë automatike. Disa u vranë në vend, të tjerë u lanë të plagosur dhe u qëlluan sërish për t’u siguruar që askush nuk mbijetonte.

Një dëshmitar ka treguar se kishte rënë mbi trupat e të tjerëve dhe kishte qëndruar pa lëvizur për orë të tëra, duke u shtirur si i vdekur. “I dëgjoja si kontrollonin trupat dhe qëllonin përsëri mbi ata që lëviznin”, ka rrëfyer ai më vonë.

Pas ekzekutimeve, shumë prej trupave u dogjën ose u zhdukën për të fshehur krimin. Kjo është edhe arsyeja pse edhe sot, 63 persona rezultojnë të zhdukur. Familjarët ende nuk kanë një varr ku të vendosin një tufë lule.

Në ditët që pasuan, dhuna nuk ndaloi. Rreth 28 marsit, një tjetër grup burrash u kap dhe u ekzekutua gjatë një marshimi. Rreth 23 persona u vranë në këtë episod. Një i mbijetuar tregoi se kishte qëndruar gjithë ditën mes kufomave dhe më pas kishte arritur të shpëtonte.

Ka edhe detaje të tjera tronditëse: forcat serbe u kërkonin civilëve para në këmbim të jetës. Në një rast, u mblodhën rreth 53 mijë marka gjermane nga banorët e zonës me premtimin për siguri.

Bilanci final është i rëndë: rreth 243 të vrarë në total gjatë atyre ditëve. Vetëm më 25 mars u ekzekutuan të paktën 105 burra dhe djem, sipas raportimeve të Gjykatës Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë.

Por përtej shifrave, ajo që e bën këtë masakër të veçantë është mënyra si u organizua: rrethim, izolim, ndarje e popullsisë dhe më pas eliminim sistematik i burrave.

Sot, pas 27 vitesh, Krusha e Madhe nuk është thjesht një emër në histori. Është një simbol. Një kujtesë e gjallë e asaj që ndodhi dhe e asaj që ende nuk është zbardhur plotësisht.

2 Komente

  1. Z
    Zoti i meshirofte, por ...

    Zoti i meshirofte viktimat dhe ishalla Kosovaret zhvillohen dhe mbijetojne si entitet shteteror. Nuk duhet anashkaluar ama qe kane krijuar urrejtje per ne dhe per kete duhet ti ndihmojme por njekohesisht ti mbajme dhe ne distance. Mjafton te kujtoni qe dhe Serbe, Kroate dhe Boshnjake jane e njejta rrace dhe e njejta gjuhe per te kuptuar cfare ndodh kur keqmenaxhohen marredheniet midis rracave te njejta

    Përgjigjjuni
    1. F
      Ftofja ka shkak

      Te një pjesë e vogël kosovarësh ka mungesë dashurie për Shqipërinë, pakicë absolute. Te këta është krijuar kjo ftofje kur kanë takuar në Shqipëri dhe Europë njerëz si ti që i urrejnë kosovarët. Pra, janë të zhgënjyerit. Disa prej tyre janë nga ata që grabiteshin me armë kur hynin në Shqipëri. Kriminelë që kontrolloheshin nga policë lokalë të cilët kontrolloheshin nga shefa policie lokalë të cilët kontrolloheshin nga ministra policie të cilët kontrolloheshin nga shërbimi sekret i Serbisë.

      Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje