Gazetari: Bordi i Paqes njohje 'de facto' për Kosovën, lajm i mirë për shqiptarët

24 Janar 2026, 10:20Rajoni TEMA
Gazetari: Bordi i Paqes njohje 'de facto' për Kosovën, lajm

Gazetari Arbër Hitaj, i ftuar në emisionin “3D” në RTSH, ka analizuar domethënien gjeopolitike të nismës së re për “Bordin e Paqes”, duke e vendosur atë përballë krizës së besimit që ka përfshirë Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Sipas Hitaj, ky zhvillim është një lajm pozitiv si për Shqipërinë, ashtu edhe për Kosovën, veçanërisht duke parë dështimin e OKB-së për t’u reformuar pas rënies së Murit të Berlinit dhe shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik.

Hitaj argumentoi se OKB-ja ka humbur rolin e saj si ndërmjetësues efikas, duke u përfshirë shpesh në skandale financiare dhe duke dështuar në zgjidhjen e konflikteve.

“Ka pasur dhe skandale financiare. Një test ishte p.sh. konflikti mes Kamboxhias me Tajlandën. OKB nuk bëri asnjë ndërmjetësim, u desh ndërhyrja e Trump. Kritika ka pasur dhe për disa organizata të OKB-së në Gaza,” theksoi gazetari.

Kosova e barabartë në tryezë

Pika më e fortë e analizës së Hitajt ishte përfitimi diplomatik i Kosovës. Sipas tij, pjesëmarrja në Bordin e Paqes i jep Prishtinës atë që OKB-ja ia mohon: barazinë në tavolinë.

“Edhe Kosova do ulet si e barabartë. Është një njohje de facto që i jepet Kosovës, pasi në OKB ende nuk njihet. Është një akt simbolik dhe diplomatik njohjeje. Kjo për Kosovën është kapërcim i madh pozitiv,” u shpreh ai.

Për sa i përket Shqipërisë, Hitaj e vlerësoi si një zhvillim pozitiv faktin që vendi është ndër themeluesit e këtij Bordi në Ballkan, duke siguruar vëmendjen e SHBA-së. Ai sqaroi se kjo nismë nuk bie ndesh me aspiratën evropiane.

“Shqipëria mund të jetë dhe në Bord dhe të aspirojë për në BE. Të kesh vëmendjen e SHBA është pozitive,” përfundoi Hitaj, duke shtuar se nisma është ende në hapat e parë dhe mbetet për t’u parë se çfarë forme përfundimtare do të marrë.

1 Komente

  1. K
    Klimax

    Presidenti i "Bordit të Paqes" njohu "de facto" se pinguinët janë banorë të Greonlandës! Lajm i mirë për pinguinët! Aleancë fantastike të kapur dora-dorës shqiptarët, pinguinët, mongolët, uzbekët, taxhikët, kazakët, .....!!!

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje